Vllaznia barazon me Tiranën; Kukësi mposht Tërbunin

25/10/2015 00:00

Derbi i Shqipërisë Vllaznia-Tirana ka përfunduar në barazim 1-1, një rezultat që largon gjithmonë e më shumë bardheblutë nga kreu, ndërkohë që i shërben shkodranëve të shkëputen sadopak nga fundi i klasifikimit.

Smajli kaloi kryeqytetasit në avantazh, ndërkohë që Arbri barazoi për Vllazninë 3 minuta nga fundi i ndeshjes.

Kukësi mposhti minimalisht 1-0 Tërbunin dhe ngjitet i vetëm në vendin e tretë në renditjen e Superiores.

Lima ishte autori i golit që i dha 3 pikëshin e vyer skuadrës verilindore. Ndërkohë, Laçi la 2 pikë në “Niko Dovana” pasi barazoi 2-2 me Teutën, një ndeshje që deri në minutën e 83 e kishte të fituar.

Musta dhe Lamçja shfrytëzuan mjaft mirë dehjen e parakohshme të lojtarëve të Laçit dhe shënuan 2 gola që shpëtuan Teutën nga humbja e 3 sezonale.

Top Channel