Turqi, imazhe shokuese; fëmija shpëtohet nga peshkatarët

25/10/2015 00:00

Imazhe të tjera shokuese vijnë nga brigjet turke, ku çdo ditë qindra emigrantë ndërmarrin udhëtimin e rrezikshëm për të mbërritur në Greqi.

Në pamjet e xhiruara nga një peshkarexhe që po lundronte në zonë, shfaqet një fëmijë 18 muajsh që qëndron mbi ujë në detin Egje, pas përmbysjes së varkës me të cilën udhëtonte së bashku me familjen e tij.

Disa peshkatarë nga qyteti turk i Kushadashit i erdhën në ndihme vogëlushit që mbante jelek shpëtimi. Fillimisht ata menduan se kishte vdekur, por pasi dëgjuan zhurma e nxorën menjëherë nga uji dhe u përpoqën ta rikthenin në jetë.

Më pas, pranë zonës u gjet edhe një grup refugjatësh me jelekë shpëtimi… Vogëlushi, i cili është identifikuar si Muhamed Hasan, u dërgua në një spital të Izmirit, dhe tani është në gjendje të mirë shëndetësore.  Ai është bashkuar me nënën e tij, një 23-vjeçare, e cila tha se trafikantët i kishin premtuar se do të udhëtonin në një varkë më të madhe, nga ajo në të cilën u detyruan të ndërmerrnin udhëtimin e rrezikshëm.

“Ai ishte shumë i zbehtë. Ne dyshuam se bëhej fjalë për hipotermi, pasi ishte i ftohtë. Duart dhe këmbët i kishte të bardha. E mbuluam me batanije që të ngrohej dhe u përpoqëm ta shpëtonin. 2 varka të tjera, të sinjalizuara prej nesh na erdhën në ndihmë dhe e dërguan djalin në Kushadashi”, tha Rexhep Evran, drejtuesi i peshkarexhes.

Mësohet se fëmija 18 muajsh, gjendej në njërën prej dy varkave që ishin nisur të enjten nga Turqia drejt Greqisë. Varkat u përmbysën në ujërat e Egjeut, dhe si pasojë 2 refugjatë humbën jetën, 15 u shpëtuan dhe 16 janë shpallur të zhdukur.

Roja Bregdetare turke po vazhdon kërkimet për gjetjen e refugjatëve të tjerë. Trupat e 29 personave që mendohet të jenë emigrantë u zbuluan të shtunën në bregdetin e Zliten, 160 km në lindje të Tripolit. Deri më tani mbi 2600 emigrantë besohet se janë mbytur në përpjekjen për të arritur në Europë përmes Mesdheut.

Top Channel