Pakti i vështirë, 100 mijë refugjatë në 20 vendstrehime në Ballkan

26/10/2015 08:50

Pas mëse 7 orë diskutimesh të ndezura, krerët e shteteve dhe qeverive të 10 vendeve anëtare të BE-së dhe të 3 vendeve të Ballkanit u pajtuan për mënyrën e zbutjes së dallgës së refugjatëve drejt Europës.

Konkluzionet e përbashkëta përfundimtare, me një gjuhë më pak detyruese se drafti paraprak, angazhojnë vendet pjesëmarrëse për të informuar fqinjin përpara se t’i përcjellin refugjatët drejt tij, si dhe për të ngritur qendra strehimi për 100 mijë emigrantë në Ballkan, gjysma e të cilëve pritet të menaxhohet në Greqi, pasi qeveria helene zotohet për 30 mijë veta, ndërsa UNHCR-ja për 20 mijë të tjerë, çfarë u vlerësua nga kancelarja gjermane Merkel.

Komisioni Europian pritet të monitorojë çdo javë respektimin e angazhimeve prej vendeve pjesëmarrëse të këtij minisamiti, që përcaktoi dhe disa masa për forcimin e kufijve të BE-së dhe të luftës ndaj trafikut të qënieve njerëzore.

Jean – Claude Juncker, President i KE-së, u shpreh: “Për të mbrojtur Shengenin, ne duhet të forcojmë gjithashtu menaxhimin kufitar ndërmjet Greqisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Serbisë, në bashkëpunim me FRONTEX. Përveç kësaj, ne do të dërgojmë 400 oficerë policie në Slloveni brenda një jave”.

“Vendet e prekura duhet të flasin jo vetëm për, por edhe me njëri tjetrin”, ishte mesazhi i Jean-Claude Juncker, i cili ftoi në çastin e fundit në selinë e Komisionit Europian në Bruksel edhe Shqipërinë, meqënëse konsiderohet “vend potencial” gjatë dimrit.

Kryeministri Edi Rama tha: “Shqipëria nuk është prekur ende. Besohet se me ardhjen e dimrit ekziston mundësia për një rrugë të re të devijuar drejt Shqipërisë, por gjithsesi, arsyeja pse ne jemi këtu ka të bëjë me domosdoshmërinë për t’u koordinuar në nivel rajonal dhe europian”.

“Dhjetëra mijëra refugjatë gjenden ende në mes të ftohtit dhe lagështirës në Ballkan, ndaj ekziston rreziku që kalimi nga Greqia për në Itali, përmes Shqipërisë, të shihet prej tyre si një rrugë më e shkurtër dhe efikase”, rrëfeu për Top Channel një zyrtar i lartë i BE-së.
    
Të dhënat e fundit nga Frontex-i tregojnë se 710 mijë persona kaluan kufirin e jashtëm të BE-së gjatë 9 muajve të parë të këtij viti, një shifër kjo jo shumë e saktë, përderisa vetë agjencia europiane sqaron se në të përfshihen dhe rastet e regjistrimit të shumfishtë për të njëjtin individ. Por, në hartën e paraqitur për këtë minisamit, zbulohet se 5405 persona kanë kaluar përmes katër pikave kufitare në jug të Shqipërisë drejt Greqisë, ndërsa numërohen 407 kalime të parregullta prej shtetit helen drejt vendit tonë.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel