Një ish-komedian bëhet president i Guatemalës

26/10/2015 11:10

Xhimi Morales, një ish-komedian që nuk ka mbajtur asnjëherë një post publik, ka triumfuar në zgjedhjet presidenciale të së dielës në Guatemalë, pasi arriti të shfrytëzonte zemërimin publik në lidhje me një skandal korrupsioni që thelloi mosbesimin në klasën politike të vendit.

Morales fitoi 69.97 për qind të votave sipas Gjykatës Supreme Elektorale. Në shtabin elektoral të Moralesit, mbështetësit shpërthyen në festë. Një i ardhur nga jashtë politikës që premtoi një qeveri të pastër, Morales, shënoi një fitore bindëse kundrejt ish-Zonjës së Parë, Sandra Torres. Që para se numërimi zyrtar të përfundonte, Morales shpalli fitoren dhe Torres pranoi disfatën.

Me rrëfime mbi origjinën e tij të thjeshtë dhe shakatë nga një karrierë 14-vjeçare si komedian, 46-vjeçari Morales preku menjëherë zgjedhësit e ngopur me korrupsionin që shkaktoi protesta në shkallë kombëtare dhe rrëzoi Otto Perezin nga presidenca, muajin e kaluar. Morales është përballur me kritika për idetë politike fantazioze, si premtimi për t’i dhënë smartfonë fëmijëve ose pajisjen e mësuesve me aparate GPS për të garantuar që ata do të jenë prezentë në orët e mësimit.

Programi i tij përbëhet nga vetëm gjashtë faqe dhe jep disa detaje se si ai mund të qeverisë, ndërkohë që partia e tij FCN do të ketë vetëm 11 vende në parlamentin me 158 vende gjithsej. Zgjedhësit refuzuan masivisht rivalen e tij Torres, pasi e shikonin atë si pjesë të rendit të vjetër politik.

Pak muaj më parë, Morales me vështirësi arriti të regjistrohej në zgjedhje, por komediani mundi që të fitonte popullaritet shumë shpejt. Ai e konsideron veten një centrist dhe duhet të sigurojë tani zgjedhësit se partia e tij nuk është shumë e afërt me ushtrinë, që ka luajtur një rol brutal në luftën civile në vend në vitet 1960-1996. Disa nga themeluesit e partisë së tij kanë qenë pjesëtarë të ushtrisë edhe pse Morales thotë se zemra e partisë tani është civile.

Top Channel