Chelsea, Jose Mourinho pranë shkarkimit

26/10/2015 11:25

Padroni i Chelsea, Roman Abramovic, duket se po e humbet durimin me trajnerin Jose Mourinho. Manjatit rus nuk i pëlqeu mënyra sesi “Blutë” humbën ndaj West Ham, me Matic dhe trajnerin portugez që u ndëshkuan me karton të kuq nga arbitri i takimit.

Për këtë arsye, Abramovic ka vendosur t’i japë një ultimatum Mourinhos. Ndeshja me Liverpoolin do të jetë ajo që do të vendosë fatin e teknikut 52-vjeçar në pankinën e skuadrës londineze. Nëse e humbet këtë sfidë, atëherë shkarkimi i tij është i paevitueshëm. Sipas asaj që publikohet te “Daily Star”, në këtë moment nuk parashikohet ndonjë takim mes dy palëve përpara kësaj ndeshjeje, por ajo që dihet me siguri është se Abramovic do ta ndjekë nga afër atë.

Liverpool tashmë drejtohet nga Jurgen Klopp dhe ironia e fatit në këtë pikë qëndron se ishte pikërisht trajneri gjerman që solli fundin e qëndrimit të Mourinhos edhe në pankinën e Realit të Madridit. Në vitin 2013, Klopo me Borussian e Dortmundit eliminoi Realin në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve me rezultatin e përgjithshëm 4-3. Vetëm 3 javë pas kësaj disfate, Mourinho u shkarkua nga drejtuesit e klubit spanjoll.

Megjithatë, për Chelsea nuk do të jetë e lehtë të largojë Mourinhon nga stoli i skuadrës, kjo për faktin se “Blutë”, në rast se zgjidhin kontratën me të përpara vitit 2018, do t’i duhet t’i paguajnë atij në formën e dëmshpërblimit 37.5 milionë paundë.

Top Channel