Kriza politike në Kosovë, ambasadorët e Kuintit mbështesin Qeverinë dhe Kuvendin

26/10/2015 00:00

Ambasadorët e vendeve të Kuintit në Kosovë kanë takuar gjatë mëngjesit të së hënës kryeministrin Isa Mustafa, zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli, në selinë e Qeverisë së Kosovës.

Për më shumë se një orë, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë kanë diskutuar me krerët institucionalë kosovarë për zhvillimet e fundit në Kuvend.

Burime të Top Channel brenda qeverisë kanë treguar se, ambasadorët i kanë dhënë mbështetje qëndrimit të koalicionit qeveritar për vazhdimin e punës së Kuvendit, ndërsa kanë dënuar aktet e dhunës si brenda Kuvendit, ashtu dhe në protestë.

Mësohet se, ambasadorët e Kuintit i kanë bërë të ditur Mustafës, Thaçit dhe Veselit edhe për kontaktet që kanë pasur me institucionet e drejtësisë, nga të cilat kanë kërkuar që të vënë para drejtësisë të gjithë ata, që po kryejnë vepra penale kundër institucioneve dhe pronave publike e private.

Gjatë këtij takimi, ambasadorët kanë inkurajuar kryeparlamentarin Veseli, që Kuvendi të vazhdojë punën dhe të mos ndalet për të miratuar projektligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare, që ka para vetes legjislativi.

Krerët institucionalë të Kosovës, edhe gjatë këtij takimi janë shprehur të gatshëm të ulen në një tryezë të përbashkët me opozitën, si dhe të diskutojnë për të gjitha temat që ata dëshirojnë, por janë shprehur të vendosur që të vazhdojnë punën, pavarësisht pengesave që po u bën opozita në Kuvend.

Ndërkohë, në kabinetin e Presidentes Atifete Jahjaga kanë bërë të ditur për Top Channel se, janë duke punuar në përpjekjet për të gjetur një gjuhë të përbashkët të udhëheqësve partiakë për të zhvilluar një tryezë të përbashkët e për të gjetur rrugëzgjidhje për daljen nga kriza.

Mësohet se Jahjaga, gjatë kësaj jave do të takojë sërish krerët partiakë dhe propozimi i saj vazhdon të mbetet mundësia, që ajo ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Presidentja Jahjaga u ka bërë të ditur udhëheqësve se, ajo do ta ndërmarrë këtë hap, vetëm nëse sigurohet që deputetët do t’i kthehen punës normale në Kuvend dhe do të presin vendimin e Kushtetueses.

Top Channel