Kosovë, drejt dështimit propozimi për 3 gjyqtarët e Kushtetueses

26/10/2015 12:15

Rrezikon të dështojë krejtësisht propozimi për tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Kjo pasi edhe mbledhja e sotme e komisionit “ad hoc” për propozimin e kandidatëve nuk u mbajt në mungesë kuorumi.

Përveç opozitës, këtë herë munguan edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Lista Serbe dhe anëtarët e tjerë të komisionit, si kryesuesi i Këshillit Gjyqësor dhe Avokati i Popullit. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se nesër është afati i fundit ligjor kur Komisioni Parlamentar duhet t’i propozojë emrat e vet seancës.

Ai caktoi mbledhjen e radhës të martën në orën 11 dhe paralajmëroi se nëse nuk përfundon të martën, i gjithë procesi duhet të kthehet nga fillimi.

Vetë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, refuzoi të komentojë për këto zvarritje, pavarësisht faktit që ky institucion prej kohësh po funksionon pa tre anëtarë të tij.

Top Channel