Idro Seferi – Duhet kohë për të kaluar nga veriu i Kosovës deri në jug. Jo nga njëra pjesë e Mitrovicës në tjetrën. Por, nga aty ku fillon veriu e deri në fund. Protestat e opozitës në Kuvendin e Kosovës janë legjitime. Forma e tyre jo. Por, simpatizuesit e opozitës me siguri kanë gjithnjë të fshehur një arsyetim se, qëllimi e arsyeton mjetin. Ndoshta, por thjesht dyshoj.

Së pari, ndoshta edhe qytetarët e Kosovës e kanë ndonjë mendim. Ata e shprehin këtë më shumë në kafene sesa në sisteme e metoda demokratike. Ata që janë të zellshëm votojnë për partitë e idhujt e tyre, e të tjerët heshtin, fshihen, luten të vijë një kohë të ikin nga Kosova. Kjo krejt derisa të kthjellet mjegulla e krijuar në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, me siguri ndonjë aktivist e di më mirë se çfarë nevoje ka populli. Por, në një shoqëri që do të ishte vërtet shoqëri asnjë nga ata që janë në Kuvendin e Kosovës sot, nuk do të ishin në Kuvend. Për teori majtiste ose për të majtën besoj se di shumë më shumë se disa diletantë, që mundohen ta radhisin veten në këto rryma në një hapësirë që ata besojnë se u takon vetëm atyre.

Por, se sa është shoqëria kosovare, kjo nuk është temë interesante për momentin. Është e tepërt të flitet në një hapësirë ku repriza e hedhjes së gazit lotsjellës ndodh, në një sistem të Kuvendit pa kontroll, e në një qëllim të përbashkuar të të gjithë politikanëve: lufta për pushtet. E kjo po ndodh në Kosovë mbi supet e çdo njeriu e shtetasi të saj që ka nevojë për shtetin, për sistemin e tij, arsimin, shëndetësinë, të ardhmen mbi të gjitha. Por, për çfarë, për pretekstin e “Zajednicës”. Në këtë pikë duket sikur mbështes partitë në pushtet. Siç thashë, në një vend me kulturë të lartë të përgjithshme dhe vetëdije qytetare asnjë nga ta nuk do të ishin në Kuvend.

Por, duhet thënë vetëm disa gjëra që janë shumë të qarta për të gjithë ata që e njohin të paktën jugun e Mitrovicës e jo më veriun. Mitrovica tash është një mit. Dhe përse? Në ditët e para të hyrjes së NATO-s në Kosovë qyteti i rokut, i “Trepçës”, qyteti i fillimit të rezistencës u nda në dy pjesë. Historikisht, në komunat si Zveçani apo sipër Leposaviqi ta zëmë, kanë qenë serbët shumicë dhe ky është një fakt i pamohueshëm. Dhe, si njeri që kam qenë shumë herë në këtë pjesë mund t’jua them se veriu është më shumë se gjysma e lagjes së një qyteti të ndarë mbi lumë. Është mbi një orë udhëtim me veturë pa respektuar shumë shenjat e trafikut. Dhe, ku është problemi. Në këtë pjesë jetojnë shumica e serbëve të Kosovës gati. Në jug jetojnë realisht një e katërta e veriut të Kosovës.

Dhe, ku është problemi. Serbët e këtushëm me mbrojtjen e KFOR-it patën një zonë eksterritoriale në Kosovë, një shtet të vetin mes Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht pikave ushtarake apo shqiptarëve në jug, ata jetën e kanë zhvilluar në mënyrën më normale. Kanë universitetin, kanë institute shkencore, teatrin e tyre, deri vonë policinë dhe pak a shumë të gjitha të tjerat. Problemi i nënshkrimit të një marrëveshjeje problematike në bisedimet me Bashkimin Europian dhe Serbinë është vërtet se në Kosovë do të krijohet një trup që u takon serbëve me kompetenca ekonomike, kulturore dhe pushtet. Pushteti i këtij Asociacioni apo “Zajednicës” do të varet nga fakti se sa Kosova do të jetë shtet në krahasim me Serbinë në Kosovë.

Bisedimet e Brukselit mund të jenë negative në shumë forma, por janë forma e vetme e mundshme për të shkuar sado pak përpara ose siç thonë në gjuhën fëmijërore në Kosovë “caca–caca”. Arsyet: Gjermania i mbështet këto forma të afrimit në Ballkan dhe vendet sponsore të pavarësisë së Kosovës në Bashkimin Europian, por edhe Amerika. E përse duhet të na interesojë kjo gjë? Sepse renditja e shteteve që e bëjnë këtë numër është e rëndësishme për një vend që sikur të mos ishin këto shtete nuk do ta gjente as “Google earth”.

Të flasim realisht. Arsyeja tjetër është se edhe nëse opozita vjen në pushtet vështirë mund të refuzojë diçka të nënshkruar nga shteti i Kosovës, apo siç thonë të kompleksuarit në Kosovë, Republika. Dhe Mitrovica e veriut deri në Rashkë, është një mit i Kosovës, një gjë që është gati po aq e humbur sa vetë Kosova prej Serbisë. Në forma të dhimbshme, duhet pranuar realiteti: veriu është i serbëve dhe tentimi i futjes në sistemin e Kosovës me dhunë nënkupton luftë me Serbinë. Jo në Bruksel, por në Mitrovicë.

Disa do të thoshin e përse jo. Besoj se trimëria ka kohë kur matet me pushkë, me vezë, me siguri ka vende ku matet edhe me gaz lotsjellës. Por, në këtë rast duhet vërtet një luftë e fuqishme që nuk ka për të ndodhur. Këto trazira do ta ndalonin në vend çdo proces të kosovarëve që kanë nevojë të jetojnë mirë dhe tani, jo më vonë e as pas 100 vjetëve. Kjo luftë në Kuvend është pak e vonuar. Gabimet e Kosovës janë të njëpasnjëshme me shumë projektues e asnjë punëkryes. Duke menduar për konceptin e shtetit, për Republika, emblemë e gjëra të tjera Kosova dhe qeveritë e saj kanë humbur kohë duke mos bërë projekte integruese dhe duke mos tentuar ta integrojnë vetë një pjesë të serbëve në Kosovë e kanë sjellë Kosovën në gjendje të tillë.

Të mos flasim për politikat kundrejt shumicës, ekonomisë e të gjitha të tjerave. Besoj se në Kosovë nuk duhen shumë fjalë për ta përshkruar situatën e as mllefin e njerëzve që kanë nevojë të shohin pak shpresë dhe për këtë pajtueshmëri kolektive nuk e ka fajin vetëm nënshkrimi që fundja është si tentim për pak kontroll ndaj një gjëje de facto të humbur deri para bisedimeve. Dhe, ky është realitet. Për më shumë ju informojnë ata banorët e lagjes “Kroi i Vitakut”. Kosova ka humbur në këtë betejë që prej kohësh dhe, nëse shihet përmes strofave të këngëve të pakuptimta Kosova mund të humbë edhe më shumë. Në një vend ku asgjë nuk është afatgjatë është problem të krijohet një sistem që do të evitonte shumicën e gabimeve të mundshme.

Nga kjo shihet se Kosova ka nevojë për një frymë jo kaq politike të ndërtimit të një shoqërie në të cilën ka shpresë. E këtu, ata që mundohen ta mbrojnë çfarëdo gjëje me dhunë në Kosovë do ta veprojnë po njësoj si qeveritë e deritashme të këtij vendi. Por, e mira është që i gjithë ky konflikt, të cilin askush s’e kupton derisa Kosova të mos ketë një shoqëri, është që gazi bashkë me lotët dhe dhunën të rrijë në Kuvend, brenda sallave me ulëse për mendjet e ndritura të kësaj shoqërie.

Gazeta “Shqip”

Top Channel