Tërmet 7.5 ballë në Afganistan, viktimat më të shumta në Pakistan

26/10/2015 00:00

Një tërmet i fuqishëm 7,5 ballësh sipas shkallës Rihter goditi rajonin e varfër të Hindukushit në veri të Afganistanit, ndërsa lekundje të forta të tokës janë ndjerë edhe në vendet fqinje.

Autoritetet flasin për dhjetëra të vdekur, e ndonëse epiqendra e luhatjeve të dhunshme ishte në Afganistan, bilancin më të rëndë të viktimave e shënon Pakistani. Në kryeqytetet e të tre vendeve të prekura, një sërë godinash u evakuan me urgjencë ndërsa raportohen ndërprerje masive të linjave të komunikimit.

Në provincën afgane të Takhar-it, ikja e rrëmujshme në një kolegj vajzash pas panikut të shkaktuar nga tërmeti, ka sjellë vdekjen e 12 nxënëseve. 25 të tjera mbetën të plagosura. 5 janë të vdekurit në qytetin lindor të Xhalalabadit, ndërsa pjesa më e madhe e jetëve të humbura në Pakistan regjistrohen në zonat fisnore në veri të vendit.

Zyrtarët thonë se epiqendra e tërmetit ishte thellë në tokë dhe magnitudën fillimisht e vendosën në 7,7 ballë për ta ulur më pas në 7,5. Njerëzit vrapuan të tmerruar në rrugët e kryeqytetit të Indisë, Delhi ku shkolla e zyra janë evakuar me shpejtësi pas goditjeve të para.

Për pak kohë, u ndalua edhe lëvizja e trenave të nëndheshëm në metrone e qytetit. Kryeministri indian Narendra Modi shkroi në Twitter se ka urdhëruar përllogaritjen urgjente të dëmeve e shprehur gatishmërinë për asistencë, duke përfshirë këtu edhe ndihmën për Afganistanin e Pakistanin, nëse i kërkohet.

Top Channel