Varfëri dhe në Sarandë, tregtarët e vegjël: Nuk ka më shitje

26/10/2015 00:00

Naile Metaj prej 23 vitesh thurr veshje me shtiza për të jetuar. Familja e saj 6 anëtarëshe u zhvendos nga Skrapari në Sarandë vite më parë, për të jetuar më mirë por situata duket e vështirë sipas saj. Nailja i ka paguar bashkisë si taksë vetëm për muajin gusht për stendën e saj të suvenireve në shëtitore më shumë se gjysmën e xhiros së verës.

“Kam 12 vjet që jetoj vetëm me këtë punë, jam 6 veta. Një muaj, gushtin kishte punë, pastaj punë hiç”, thotë Naile Metaj.

Ladi Selmani çeli një njësi saldimi 15 vite më parë në Sarandë. Klientët e paktë thotë ai tani nuk mjaftojnë as për të siguruar një rrogë minimale e jo më për të blerë kasë.

“Më parë kisha punë, sa nuk kisha kohë të haja dhe bukë. Tani s’ka punë dhe na kërkojnë detyrimet”, thotë Ladi Selmani, saldator.

Ksanthulla Goga një tjetër banore e Sarandës shitëse në një dyqan mishi tregon se konsumi i këtij produkti ka qenë në nivel shumë të lartë vite më parë. Tani njësia shet gati gjysmën e sasisë.

“Ditë më ditë bie. Arrijmë a nuk arrjimë 150-170 mijë. Bashkë, me qira, dy punonjës me pensione 140 mijë lekë do marrin njerëzit? Shumica janë pensionistë”, thotë shitësja Ksanthulla Goga.

Të moshuarit thonë se blerjet janë reduktuar për të gjitha produktet. Të ardhurat nga fëmijët emigrantë ranë pak vite më parë duke ndikuar shumë ekonominë.

Fushata më e fundit kombëtare për goditjen e informalitetit duket se në Sarandë ka goditur e rënduar më së shumti ata që historikisht kanë paguar thotë Fisnik Selmani i cili menaxhon një njësi tregëtare të vogël në rrugën e tretë të Sarandës.

Ai pretendon të jetë gjobitur padrejtësisht për detyrime që nuk I takojnë ndërsa tregon listat e gjata të ushqimeve të klientëve të tij. Xhiroja ditore nuk i kalon 2000-3000 lekë në ditë sidomos gjatë dimrit shpjegon Fisniku.

“Nuk përdor shumë listat, kam nja 10 veta që më kanë marrë dhe kanë ikur në drejtim të paditur, se di as se ku janë”, thotë tregtari Fisnik Selmani.

Saranda e ka shumëfishuar popullsinë e saj gjatë viteve të fundit e për këtë ndikoi edhe imazhi i fituar si një destinacion i rëndësishëm turistik por vetëm 1/3 e popullsisë së saj ka të ardhura direkte apo indirekte prej turizmit.

Jeta e përditshme e banorëve në këtë skaj të vendit ku 2/3 e popullsisë u vendosën nga zona të tjera gjatë 2 dekadave të fundit për të jetuar më mirë, ka shanse të ngjashme me të gjitha qytetet e vogla shqiptare. Për më tepër të jetuarit në Sarandë i shtohen edhe çmime artificialisht 20% më të larta se në rajone të tjera të jugut.

Top Channel