Kukësi më i varfër, banorët: S’ka punë

26/10/2015 00:00

Banorët e qytetit të Kukësit, që tashmë paguajnë energjinë elektrike, thonë se janë më të varfër se një vit më parë. Një vit pas aksionit të energjisë, ata shprehen se ky vit ka qenë i vështirë për familjet e tyre pasi u është dashur që të kursejnë shumë. Ata kërkojnë lehtësira në këtë drejtim sepse situata po ju rëndohet.

“Mungon punësimi në radhë të parë. Pastaj po u bë punësimi vijnë gjithë të mirat e tjera. Derisa mungon punësimi nuk ka pasuri në Kukës, ka vetëm varfëri”, thotë një banor i Kukësit.

“Energjia është e shtrenjtë, 70 mijë lekë. Unë marr 50 mijë lekë përkrahje, e paguaj 70 mijë lekë drita”, thotë një tjetër.

Qyteti Kukësit ishte i fundit për pagimin e energjisë elektrike, shumë pak paguanin, edhe ata që e kishin mundësinë ekonomike nuk e bënin këtë gjë.

Reforma e energjisë detyroi mijëra familje që të paguanin energjinë e konsumuar dhe atë të prapambetur. Gjatë një viti aksion në Kukës, në mes OSHEE-së dhe konsumatorëve janë nënshkruar mbi 14 mijë e 300 akt marrëveshje.

Top Channel