Festivali i teatrit, nis në “Skampa” në Elbasan edicioni i 17-të

26/10/2015 00:00

Për të 17 vit me radhë, teatri “Skampa” i Elbasanit është bërë shtëpia e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit. Për 5 netë me radhë publiku do të ketë mundësinë të shijojë performancën e shkëlqyer të trupave teatrore franceze, turke, kroate, greke, zvicerane, kosovare e belge.

Aktorët, që nuk mungojnë asnjëherë e kanë vlerësuar këtë traditë që ende vazhdon në qytetin e Elbasanit.

“Shikoni sa bukur është mbushur salla. Çdo festival është një festë, festa e artit, e teatrit, Teatri është fisnik”, u shpreh aktorja Margarita Xhepa.

“Një kënaqësi të vish këtu. Na pëlqen. Është bërë vendi i dashur dhe i këndshëm dhe kemi parë shfaqje të bukura dhe kemi fatin t’i shohim dhe në këtë festival”, tha aktorja Tinka Kurti.

“Shfaqet kanë qënë të mira, po jo shumë në nivelin e viteve të mëpara, kur vinin trupa të kompletuara”,tha aktorja Veronika Papa.

Ndërsa për organizatorët, ky festival është një traditë e çmuar që duhet të vazhdojë edhe më tej.

“Mjafton të kthesh kokën pas dhe shikon që janë 16 vjet festival, sukses, punë që vijnë sot dhe ja servirim qytetit për herë të 17-të”, thotë Klinton Kapaj, drejtor i Teatrit “Skampa”.

“Me 8 trupa teatrore, nga 8 vende të ndryshme duke filluar nga teatri Skampa, duke vazhduar për herë të parë trupa franceze me një shfaqje shumë interesante”, tha Adonis Filipi, drejtues i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit.

Nën sloganin “Dialog”, edicioni i 17-të i këtij festivali nisi me premierën e trupës teatrore “Skampa”. Me regji të Erand Sojlit, “Vallëzimi i Fundit” mbajti të mbërthyer publikun deri në fund të shfaqes.

Top Channel