“Rankimi” i liqeneve, më i ndotur ai i Kasharit

26/10/2015 00:00

Analizat e kryera nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit në liqenin e Tiranës, të Kasharit dhe të Farkës kanë treguar se ndotja e ujrave është e lartë. Të dhënat saktësojnë se liqeni më i ndotur është ai i Kasharit, pasi në të prej vitesh derdhen mbetjet urbane.

“Është i vetmi liqen që ka dhe shkarkime urbane. Të gjithë banesat që janë pranë liqenit të Kasharit bëjnë shkarkimet urbane në liqen”, thotë Julian Beqiri, drejtor i AKM-së.

“Liqeni i Kasharit është liqeni që referuar analizave, ka rezultuar më i ndotur, ashtu sikurse thamë për nevojën kimike për oksigjen dhe nevojën biokimike, kanë dalë goxha të larta”, bën të ditur Vanela Gjeci, shef Laboratori.

Edhe liqeni i Tiranës ka rezultuar me ujra të ndotur. Ekspertët tregojnë se në këtë pikë të rëndësishme të Tiranës janë derdhur mbetje të ngurta, çka ka bërë që situata mikrobiologjike e ujërave të mos jetë e mirë.

“Problematikë ndër vite. Pra ndër vite aty kemi mbetje të ngurta çka kanë sjellë që cilësia e këtij liqeni të jetë me këto të dhëna”, vijon Beqiri.

Agjencia mjedisore rekomandon që pushteti vendor dhe institucionet përkatëse duhet të ndërhyjnë për përmirësimin e gjendjes.

Top Channel