Mishi i përpunuar rrit mundësinë e prekjes nga kanceri

26/10/2015 16:45

Ndër vite ka patur një sërë studimesh që e lidhnin fort konsumimin e mishit të kuq dhe atij të përpunuar me kancerin dhe së fundmi ajo që “zyrtarizon” këtë lidhje është Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Në një raport të publikuar së fundmi, OBSH thotë se konsumimi i 50 gramëve mish të përpunuar në ditë rrit me 18 përqind mundësinë për t’u prekur nga kanceri i zorrëve, ndërsa shtohet se “me shumë mundësi edhe mishi i kuq rrit përqindjen e prekjes nga kanceri”, por për këtë nuk u gjetën prova të mjaftueshme.

Raporti mundohet të gjejë lidhjen mes mishit të përpunuar dhe rritjes së përqindjes për t’u prekur nga kanceri dhe sipas OBSH-së, me gjasa kjo përqindje rritet nga kimikatet që përdoren në procesin e përpunimit.

Raporti i OBSH-së është bazuar në studimin e Agjencisë Kërkimore të Kancerit, që vepron nën umbrellën e kësaj organizate. Megjithatë, thuhet në raport, kjo nuk përkthehet në heqjen dorë prej mishit të përpunuar apo atij të kuq, por për konsumim të tij jo të shpeshtë. Fundja, çdo tepri me një ushqim të caktuar është i dëmshëm.

Top Channel