Akuzat e PD për hekurudhën, Qeveria: Koncesion i hapur dhe sipas ligjit

26/10/2015 17:55

Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama se po jep me koncension tek miqtë dhe klientët e tij pasuritë publike.

Këtë herë, opozita foli përmes deputetes Liljana Elmazi, e cila tha se po jepet me koncesion për 25 vjet hekurudha Ballsh-Fier-Vlorë tek djali i nënkryetares së Kuvendit, Valentina Leskaj.

Qeveria reagoi ndaj këtyre akuzave edhe njëherë përmes portalit “Transparenca”, ku nuk mohon se koncesioni i është dhënë Arian Leskajt, po sqaron se e gjithë procedura e dhënie me koncesion ka qenë transparente dhe në të është paraqitur vetëm një ofertë, e cila edhe është shpallur fituese.

Qeveria rrëzon edhe pretendimin tjetër të opozitës së koncesioni i hekurudhës Ballsh-Fier-Vlorë është dhënë pa garë.

“Procedura konkurruese për koncesionin e rehabilitimit të segmentit hekurudhor Fier-Ballsh; Fier-Vlorë, ka qenë e hapur dhe konform kuadrit ligjor. Agjencia e Prokurimit Publik ka bërë botimin për ftesën për ofertë në datën 8 qershor 2015, dhe ky konkurrim ka qenë i hapur deri në datën 30 korrik”, thotë qeveria.

Edhe Ministria e Transporteve ka reaguar në lidhje me akuzat e opozitës, duke deklaruar se i gjithë procesi ka qenë transparent dhe në përputhje me kuadrin ligjor.

“Rehabilitimi i segmentit hekurudhor Fier – Ballsh dhe Ballsh – Vlorë do të jepet me konçesion për një periudhe prej 25 vjetësh, brenda së cilës do të përfshihet periudha për rehabilitimin e segmenteve hekurudhore dhe periudha e operimit”, thotë MTI.

Top Channel