Tërmeti në Afganistan e Pakistan, shkon në mbi 260 numri i viktimave

26/10/2015 00:00

Një tërmet i fuqishëm tronditi rajonin e largët verilindor të Afganistanit gjatë së hënës, duke lënë më shumë se 260 të vdekur, një pjesë e mirë e të cilëve në Pakistan, ndërkohë që janë plagosur me qindra të tjerë. Valët e lëkundjeve janë ndierë edhe në Nju Delhi të Indisë.

Nga raportimet e fundit bëhet e ditur gjithashtu se në Afganistan ka pasur 52 të vdekur në disa provinca; 12 studentet në Takhar, 7 persona në Nangarhar, 2 në Nuristan, 22 në Kunar dhe 9 në Badakhshan. Ndërsa në Pakistan raportohet për të paktën 214 të vdekur dhe afro 1800 të plagosur.

Numri i vdekjeve mund të rritet me kalimin e ditëve, për shkak se linjat e komunikimit kanë qenë jashtë funksionit në shumicën e territorit të rajonit të thyer malor të Hindu Kushit, ku ishte edhe epiqendra e tërmetit.

Në atë që konsiderohet si një prej incidenteve më të rënda, të paktën 12 vajza janë vrarë gjatë ikjes në rrëmujë e sipër (shtypjes) nga godina e shkollës së tyre në Taloqan, në perëndim të provincës së Badakhshanit, ku ishte saktësisht epiqendra e lëkundjeve.

“Ato ranë mes këmbëve të studentëve të tjerë”, tha Abdul Razaq Zinda, kreu provincial i Agjencisë kombëtare afgane të Menaxhimit të Fatkeqësive, i cili raporton për dëme tepër të rënda në Takhar.

Tronditjet u ndienë edhe në Nju Delhi, rajonin verior të Indisë, si dhe përreth veriut të Pakistanit, ku qindra persona dolën nga ndërtesat e banimit apo të bizneseve pas lëkundjeve. Megjithatë, ende nuk raportohet për viktima në Indi.

“Ishim shumë të frikësuar. Pamë njerëz që largoheshin nga ndërtesat, por i jemi mirënjohës Zotit”, tha një gazetar pakistanez, Zubair Khan, teksa fliste përmes telefonit nga Swat Valley, në veriperëndim të kryeqytetit Islamabad. “Isha në makinën time dhe kur u ndala, vetë makina po lëkundej sikur të ishte dikush duke e shtyrë nga para e nga pas”.

Tërmeti ka qenë 213 km në thellësi të kores së tokës dhe me epiqendër 254 km në verilindje të Kabulit, në provincën Badakhshan. Shërbimi amerikan Gjeologjik bëri të ditur fillimisht se ai ishte i magnitudës 7,7 por më pas e uli në 7,5.

Vetëm një dekadë më parë, një tjetër tërmet 7,6 ballësh goditi një tjetër rajon të veriut të Pakistanit, duke lënë të vdekur mbi 75 mijë persona.

Top Channel