“Fiks Fare”, mungesa e ilaçeve në Shërbimin Onkologjik

26/10/2015 22:00

Pothuajse çdo ditë në redaksinë e programit “Fiks Fare” vijnë telefonata nga qytetarë të cilët ankohen për mungesë ilaçesh në Shërbimin e Onkologjisë në QSUT.

Të gjithë pacientet ankohen se ilaçet mungojnë dhe se seancat, që duhet të bëhen në data të caktuara, nuk i bëjnë asnjëherë. Po ashtu, ata thonë se nuk ka as kushte, pasi edhe kimioterapia bëhet ulur dhe jo shtrirë në krevat.

Pacientët ankohen se ilaçet janë shumë të shtrenjta për t’u blerë në farmaci, ose ka të tilla që nuk gjenden fare. Njëra prej tyre, “Herceptin” kushton 700 mijë lekë (të vjetra) vetëm një flakon ndërkohë që duhen dhjetëra të tilla.

Po ashtu, edhe ilaçet si “Avastin” apo “Sunitinib”, që shkojnë deri në 5 milionë lekë (të vjetra) sipas pacientëve ose familjarëve të tyre, mungojnë në QSUT. Mungesa e këtyre medikamenteve ndikon negativisht në shëndetin e pacientëve, duke iu përkeqësuar gjendjen e tyre.
 
Pacientja: Unë kam 2 vite që trajtohem këtu tek Onkologjiku, këtu mungojnë të gjitha ilaçet. Unë trajtohem me ‘Hercpetin’ dhe kur t’ua dojë qejfi atyre e sjellin. Unë duhet ta marrë çdo 21 ditë ilaçin, por kam dy muaj pa e marrë. Kam pyetur te privati më kanë thënë që kanë ‘Herceptin’ dhe 1 flakon kushton 700 mijë lekë (të vjetra), mua më duhen 3 flakon që bëjnë 2 milionë e 100 mijë lekë (të vjetra). Ku mund t’i gjej unë çdo 21 ditë 2 milionë e 100 mijë lekë? Burrin e kam pa punë, çunat në shkollë…
Fiksi: Çfarë ju thonë mjekët?
Pacientja: Nuk ka sot, do vijë nesër, do vijë pasnesër.
Fiksi: Ju jeni nga Tirana?
Pacientja: Jo, jam nga Kavaja. Kam lozur me jetën time, për 2 muaj s’kam vënë kokën në jastëk. Mjeku më thotë kështu‘nëse Herceptina fillohet, do fillohet dhe do mbarohet rregullisht’. Janë 18 seanca, unë i kam bërë 13 seanca, por asnjëherë si kam marrë rregullisht. I bëj thirrje institucioneve shëndetësore të mos lozin me kokën tonë. Këtu nuk ka krevat për të bërë kimioterapi. Unë e kam bërë kimioterapinë ulur. Të bësh 4-5 orë kimioterapinë ulur është e paimagjinueshme.

Bashkëshortja e një pacienti: Im shoq vuan nga një tumor në veshkë. Mjekohet me “Sunitinib” 50 miligramëshe. Në qershor kemi marrë 28 kokrra, sepse aq është kura, në korrik dhe gusht nga 14 kokrra, ndërsa në shtator vetëm 6 kokrra. Ndërkohë që kura është 28 kokrra. Nga data 20 shtator e deri më sot kam ardhur çdo ditë, por askush nuk më jep përgjigje. Mos mjekimi i këtyre sjell komplikacione të tjera. Im shoq ka punuar 46 vjet në mjekësi, i ka dhënë këtij vendi, dhe tani të sillesh në këtë mënyrë…
Fiksi: Kuron “Sunitinib”-i, shëron?
Bashkëshortja e një pacienti: Po, i ka zgjatur jetën. Më kanë thënë që kushton deri te 5 milionë lekë (të vjetra) dhe kush ka punuar me djersën e ballit nuk e përballon kurrë këtë shumë. Është e pamundur. Nuk ka në asnjë lloj farmacie.
Fiksi: ku kërkoni ndihmë?
Bashkëshortja e një pacienti: Gjithkund. Edhe te ju kërkojmë ndihmë. Të ketë ilaçe, kaq duam ne. Nuk duam gjë tjetër.

Në lidhje me ankesat dhe thirrjet e dëshpëruara të pacientëve dhe familjarëve të tyre pranë Shërbimit të Onkologjik, “Fiks Fare” iu drejtua Drejtorisë së Përgjithshme të QSUT-ës me një pyetje të vetme: Përse mungojnë medikamentet kryesore për pacientët e prekur nga kanceri? Ndërsa nga ana Drejtoria ktheu këtë përgjigje.

“Bari Transuzimab (Herceptinë) me përdorim në Shërbim Onkologjik në rrugë venoze në përdorim nga pacientë të diagnostifikuar me tumore malinj, kryesisht të kancerit të gjirit, gjendet në QSUT me një sasi vjetore për vitin 2015 prej 2300 flakon me vlerë të prokuruar 162.715.480 lekë. Sasia e kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet procedurave publike, bazuar në kërkesat e Shërbimit Onkologjik rezulton të jetë rritur me 1467 flakon më shumë krahasuar me vitin 2013 (në sasi 883 flakon)”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë.

“Bari Sunitinib (Sutent) me përdorim në Shërbimin Onkologjik në rrugë orale në përdorim nga pacientë të diagnostifikuar me tumore malinj, kryesisht të veshkës dhe pankreasit, gjendet në QSUT me një sasi vjetore për vitin 2015 prej 2282 kapsula me vlerë të prokuruar 47.259.496 lekë. Sasia e kontraktuar nga MSH nëpërmjet procedurave publike, bazuar në kërkesat e Shërbimit Onkologjik rezulton të jetë rritur me 882 kapsula krahasuar me vitin 2013 (1400 kapsula), duke rritur kështu me 63% sasinë në përdorim të këtij bari për këtë nozologji për vitin 2015”, është përgjigjja për ilaçin “Sutent”.

“Fiks Fare” iu drejtua Drejtorisë së Përgjithshme të QSUT-ës me një pyetje se përse mungojnë aktualisht këto medikamente në Shërbimin Onkologjik, ndërsa përgjigjja ishte e gjatë dhe me të dhëna që tregojnë se sa është rritur sasia e këtyre medikamenteve krahasuar me vitin 2013.

Top Channel