Gjirokastër, shembet një nga akset kryesore të qytetit

27/10/2015 09:40

Aksi i njërës prej rrugëve që lidh pazarin me kalanë e Gjirokastrës dhe tri lagje të pjesës së sipërme me dy qendrat e qytetit është shembur si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit.

Për rrjedhojë, përshkimi i zonave nga banorët dhe mjetet e transportit është bërë i pamundur.

Paralajmërimi i shembjes së aksit ka ardhur disa vite më parë duke dhënë shenja me harkimin dhe dëmtimin e murit mbajtës të rrugës, por sipas bashkisë së qytetit kanë munguar fondet për ndërhyrje.

Shumë rrugë të rëndësishme në zonën historike të qytetit janë duke përjetuar probleme të ngjashme. Shkak është bërë trafiku i rënduar i paparashikuar në kohën e ndërtimit dhe ngarkesa e rrugëve me mjete të rënda si kamionë e betoniera.

Gjirokastra është qyteti i dytë në vend për nga gjatësia e rrugëve të brendshme me plot 42 km. Një pjesë e tyre janë të vendosura në zonën historike.

Top Channel