Gjyqi ndaj imamëve, dëshmitarët “kyçin gojën”

27/10/2015 10:05

Arsyet nuk janë të njëjta, por rezultati është po ai; dështim i seancave gjyqësore ndaj 9 imamëve të vetëshpallur, të cilët akuzohen për rekrutim të personave për terrorizëm në Siri.

Kësaj here, shkak për shtyrjen e seancës janë bërë dëshmitarët, të cilët kanë refuzuar të dëshmojnë. Dëshmitari Agim Ndregjoni, deklaroi para trupës gjyqesore të Krimeve të Rënda se ishte mbajtur 12 orë nga policia për t’u shoqëruar në sallën e gjyqit dhe për rrjedhoje nuk ishte më në gjendje të dëshmonte.

Shkak për shoqërimin e tij të detyrueshëm me polici, kanë qenë fakti se ai kishte refuzuar të paraqitej vullnetarisht për të dëshmuar në gjykatë.

Të njëjtin qëndrim mbajti përpara trupit gjykues edhe dëshmitarja tjetër, Amide Dimani, që është motra e Ndregjonit. Edhe kjo deklaroi se nuk ishte në gjendje të dëshmonte.

Të dy këta dëshmitarë, vëlla e motër janë thirrur nga Prokuroria për të dëshmuar në këtë proces, pasi mendohet se Amide Dumanit i kanë mbetur dy fëmijet e saj në Siri, që kishin ikur atje me bashkeshortin, i cili dyshohet të jetë vrarë gjatë luftimeve.

Rreth dy vjet më parë, Amide Dumani denoncoi rrëmbimin e dy fëmijëve të saj nga bashkëshorti. Një vit më pas, familjarët dhanë lajmin se bashkëshorti i Amides ishte vrarë dhe se fëmijët gjendeshin në një kamp së bashku me gjyshen, e cila mendohet se kishte shkuar në Siri për të marrë nipërit, por që mund të jetë mbajtur forcërisht atje.

Edhe pse dëshmia e Amide Dimanit dhe vëllait të saj pritej me mjaft interes, ajo nuk u mundësua të jepej. Gjykata ka caktuar seancën e radhës të martën e ardhshme, duke thirrur sërish dëshmitarët Amide Dumani dhe Agim Ndregjoni. 

Top Channel