Tërmeti, terreni vështirëson operacionet në zonat pakistano-afgane

27/10/2015 10:35

Operacionet e shpëtimit në zonat e largëta mes Afganistanit dhe Pakistanit po zgjerohen, për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti 7.5-ballësh.

Mbi 300 persona janë konfirmuar të vdekur deri tani dhe rreth 2 mijë të tjerë të plagosur. Mes viktimave janë edhe 12 vajza të vogla, të cilat humbën jetën në rrëmujën që përfshiu shkollën e tyre në momentin e tërmetit.

“Ato u shtypën nga studentët e tjerë që vërshuan për të dalë nga shkolla”, deklaroi një zyrtar i provincës së Takharit për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Ndërkohë, autoritetet kanë paralajmëruar se bilanci i viktimave mund të rritet.

Skuadrat e shpëtimit janë dërguar në zonat e largëta malore ku efektet e lëkundjes u ndjenë më së shumti.

Burime nga zonat e prekura kanë deklaruar se, shumë banorë në këtë rajon, nga frika e një tërmeti të ri, e kaluan natën jashtë, në temperatura të akullta.

Presidenti afgan Ashraf Ghani, në një fjalim televiziv u bëri thirrje banorëve që të japin ndihmën e tyre në operacionet e shpëtimit.

Ndërsa guvernatori i provincës së Badakhshanit deklaroi se, ushqime, ujë dhe ndihma të tjera të domosdoshme janë bërë gati për t’u dërguar në zonat e largëta, “por për të arritur deri atje nuk është e lehtë”, tha ai.

“Për shkak të rrëshqitjeve të tokës dhe gurëve që kanë bllokuar rrugët, për të arritur atje duhen helikopterë”, tha zyrtari.

Ndërkohë, guerrilasit talebanë që kontrollojnë një pjesë të provincës u bënë thirrje agjencive të ndihmave që të mos tërhiqen nga operacionet e tyre, ndërsa kanë urdhëruar militantët që të ndihmojnë të prekurit. 

Top Channel