Tiranë-Elbasan, autostrada “ndan në dysh” fshatin

27/10/2015 11:15

Autostrada Tiranë-Elbasan ka ndarë në dy pjesë fshatin Reçan, të njësisë administrative të Bradasheshit. Kjo rrugë, jo vetëm që nuk ka ndihmuar në lëvizjen e banorëve të këtij fshati, por është bërë rrezik i përditshëm për ta.

Edhe pse janë ndërtuar nënkalime, askush nuk ka menduar se duhet edhe një rrugë për të hyrë në to. Hyrja e këtij nënkalimi është e bllokuar, duke i detyruar banorët të kalojnë përmes autorstradës.

Por banorët thonë se situata paraqitet edhe më e rëndë në rastet kur ka mot të keq, kur nënkalimi përmbytet dhe kalimi është i pamundur.

Madje, banorët tregojnë që edhe varrezat e fshatit ndodhen në anën tjetër të rrugës dhe në raste fatkeqësish, ata së bashku me trupin e të ndjerit kalojnë përmes autostradës.

Kompania “Aktor” kishte parashikuar jo vetëm ndërtimin e rrugëve lidhëse të nënkalimeve, por edhe rrugët e fshatrave. Gjithashtu, në plan ishte edhe argjinatura e përroit të Kushes, i cili përmbyt tokat bujqësore sa herë ka prurje.

Por, tashmë që punimet e kësaj rruge janë ndërprerë, askush nuk di se ç’do të bëhet me akset lidhëse të cilat nuk janë ndërtuar.

Top Channel