Fushë Bulqizë, banorët në protestë për mbrojtjen e pyjeve

27/10/2015 12:10

Prej më shumë se një muaji, banorët e disa fshatrave të Fushë Bulqizës janë hedhur në protestë për të kundërshtuar ndërtimin e një rruge dhe dhënien e tenderit për pastrimin e një pylli në kurorën e këtyre fshatrave.

Bëhet fjalë për rreth 30 hektarë pyll, i cili ndodhet në jug të Malit të Bardhë dhe ka mbetur i paprerë jo vetëm për faktin se nuk ka rrugë për automjete, por edhe për kujdesin që kanë treguar banorët e zonës.

Ata deklarojnë se edhe në vitin e mbrapshtë ‘97 e kanë mbrojtur nga prerjet dhe zjarret dhe sot nuk do të lejojnë që të shkatërrohet. Banorët dyshojnë se rruga nuk hapet për qëllime pastrimi, por për të shfrytëzuar të vetmen pjesë pylli që ka mbetur e pa prerë.

Dyshimet sipas tyre shtohen pasi firma që po hap rrugën i kryen punimet në fshehtësi të plotë, duke punuar jashtë syrit të tyre.

Nga kontaktet që kanë pasur me përfaqësuesin e firmës, banorëve u është thënë se ka leje pastrimi, por lidhjet e kësaj firme me pronarët e fabrikës që është ndërtuar në Qafën e Buallit për përpunimin e drurit dhe prodhimin e piletës shtyjnë banorët të dyshojnë se do të shfrytëzohet edhe kjo pjesë pylli e mbetur.

Jashtë kameras ata thonë se pronarët e fabrikës dhe të firmës që ka marrë pastrimin e këtij pylli janë njerëz të afërt të deputetit të LSI-së, Përparim Spahiu.

Banorët kanë kërkuar ndihmën e organeve kompetente, por nuk kanë marrë përgjigje, ndërsa sot ato kanë kërkuar takim me përfaqësues të prefektit, drejtorin e policisë së qarkut dhe sigurojnë se nuk do ndalen këtu për mbrojtjen e pasurisë së tyre.

Top Channel