Kosovë, Kuvendi mblidhet sërish në seancë plenare më 2 nëntor

27/10/2015 12:50

Vezët dhe shishet e ujit duket se nuk janë elementet e vetme, që janë përdorur nga deputetët kosovarë në seancat e fundit kaotike.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se, ekzistojnë dyshime edhe për praninë e alkoolit dhe drogës, çështje këto që duket se e ngarkojnë me përgjegjësi Policinë e shtetit. Duke folur pas mbledhjes së Kryesisë, Veseli kërkoi nga policia që të vendosë rendin dhe sigurinë për seancën e radhës, e caktuar të mbahet më 2 nëntor.

“Ekziston një vendosmëri e punës së grupeve parlamentare, por edhe një shqetësim politik për mungesën e kushteve për punë brenda seancës, pasi po ballafaqohen me gjëra të pahijshme të rrezikshme për jetën. Deri më tani, në Kuvend janë përdorur vezë, gaz lotsjellës, gjëra të tjera të forta, ujë, por në të njëjtën kohë thuhet se ka ndikim edhe të alkoolit dhe drogës. Është një gjendje, e cila i ka shqetësuar vërtet deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Për të gjitha këto, sipas kryeparlamentarit Veseli, zbatimi i rregullores së punës nuk është çelësi i vetëm. Ai thotë se, edhe institucionet përgjegjëse duhet të kryejnë punën e tyre.

“Veçanërisht sot jemi ballafaquar me një situatë tepër të rëndë, sepse deputetët kanë kërkuar nga kryetarët e grupeve parlamentare, që të mos i çojnë në situata konfliktuale dhe të mos i denigrojnë, pasi nuk po mund t’i durojnë sulmuesit. Sido që të jetë, ne duhet ta tejkalojmë këtë situatë, por ajo që është më kryesorja, organet përgjegjëse duhet të marrin përgjegjësite e tyre institucionale. Ka ardhur koha që, ai që ka përgjegjësi institucionale t’i mbajë ato, pasi nuk janë vetëm privilegje”, tha më tej Kadri Veseli.

Të prerë në qëndrimin e tyre për t’u ofruar kushte deputetëve, kanë qenë edhe shefat e grupeve parlamentare. Kjo do të thotë se, në seancën e radhës mund të ketë ndërhyrje të autoriteteve, nëse situata del jashtë kontrollit.

“Këmbëngulim që Kuvendi duhet të vazhdojë me punën. S’ka asnjë forcë që do ta pengojë. Është detyrim i imi, për shkak të përgjegjësisë që kam për punë normale, që të sigurohet jeta e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Nuk jam i gatshëm që të vazhdojmë më tutje, që t’i ekspozohemi dhunës më tepër”, tha Adem Grabovci, shef i grupit parlamentar të PDK-së.

Edhe kjo mbledhje kryesie kaloi pa praninë e grupeve opozitare, të cilat në fakt, për shkak të marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi kanë pamundësuar punimet e tërësishme të sesionit të vjeshtës.

Top Channel