Dyndja e refugjatë, Gjermania do të dërgojë policë në kufirin slloven

27/10/2015 00:00

Gjermania po planifikon dërgimin e forcave policore në Slloveni për të ndihmuar autoritetet vendase t’i bëjnë ballë fluksit të pazakontë të emigrantëve të përplasur në portat e shtetit të vogël ballkanik.

Ndonëse destinacioni i këtij lumi njerëzor janë vendet e pasura në veri të Europës, Sllovenia, e gjendur papritur në mes të një ngërçi të shkaktuar fillimisht nga mbyllja e kufijve hungarezë e më pas, prej devijimit të kalimit të të ardhurve nga Kroacia, e ka të vështirë ta menaxhojë e vetme situatën.

Gazeta “Mitteldeutsche Zeitung” , ajo që dhe përcjell informacionin mbi këtë projekt të Berlinit, thotë se njoftimi është konfirmuar edhe nga ministria e Brendshme gjermane. “Është e qartë se do të përfshihemi”, ka qënë deklarata e zëdhënësit të kësaj ministrie. E njëjta gazetë përmend gjithashtu edhe paralajmërimin e kreut të sindikatës gjermane të policise Jörg Radek, që thotë se kapacitetet e forcave federale janë në limitet e tyre.

Kjo lëvizje e Berlinit vjen pas samitit të emergjences mes liderëve të BE-së dhe atyre të Ballkanit, që synonte pikërisht ravijëzimin e plani asistencë për shtetet e rajonit të tejngarkuara nga fluksi i azilkërkuesve. Takimi u përmbyll me pajtimin e pjesëmarrësve, mes të cilëve edhe përfaqësues nga Serbia e Maqedonia e kryeministri shqiptar Edi Rama, me një projekt 17 pikësh që parashikon një shtim të mbështetjes për vendet e Ballkanit që janë në rrugën e emigrantëve të nisur drejt Europes veriore.

Fill pas samitit, kryetari i komisionit europianJean -Claude Juncker njoftoi se 400 efektivë policie do të dislokohen brenda javës, ndërsa Agjencia e kontrollit kufitar të vendeve të bllokut, Frontex, do të ketë shtim të personelit.

Edhe pse në planin politik, lëvizjet brenda BE-së kanë nisur, Angela Merkel nuk e shijon dot plotësisht atë që kishte kërkuar me kohë: aktivizimin e vërtetë të anëtarëve të bllokut në krizën më të ngutshme të momentit. Qëndrimi i saj ndaj ngërcit të refugjatëve ka zemëruar shumë anëtarë të partisë së vet kristiandemokrate.

Rebeshi i kritikave ndaj kancelares shtohet çdo ditë e më shumë e së fundi, po bëhen gjithmonë e më të forta shenjat që paralajmërojnë një përçarje të thellë të CDU-së.

Top Channel