MSA, Mustafa e Mogherini: Arritje e madhe për Kosovën

27/10/2015 13:35

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asoccimit me BE-në ka deklaruar se kjo ditë është ndër ditët më të rëndësishme për Kosovën pas shpalljes së pavarësisë.

“Sot, vendi im, në mënyrë zyrtare ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje konfirmuam vullnetin e qytetarëve të Kosovës drejt perspektivës eurointegruese dhe hapjen e një kapitulli të ri për vendin. Kjo marrëveshje vulos rrugën e Kosovës drejt BE-së, rrugë e cila nuk ka kthim, por i hap mundësi Kosovës drejt reformimit, përshtatjes dhe implementimit të reformave në të gjithë sektorët”, ka deklaruar Mustafa.

“Është rrugë e forcimit të demokracisë dhe ndërtimit të shtetit të së drejtës, rrugë e stabilitetit politik dhe e perspektivës ekonomike, rrugë e përfundimit të tranzicionit drejt një ekonomie funksionale të tregut, e forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe e zgjidhjeve politike”, ka vlerësuar ai.

Kryeministri Mustafa po ashtu ka thënë se, procesi i evropianizimit kuptimplotë të Kosovës, që po fillon sot, do të përcillet me një përkushtim të plotë shtetëror dhe institucional të Kosovës dhe me partneritet të plotë me Bashkimin Evropian.

Ndërsa Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Federica Mogherini ka vlerësuar, se për nënshkrimin e MSA-së është bërë shumë punë nga të dyja anët dhe fakti që ajo sot u nënshkrua është shumë pozitiv.

“Presim që kjo marrëveshje të hyjë në fuqi sa më parë të jetë e mundur. Pas kësaj do të ketë shumë të mira për popullin e Kosovës dhe për Bashkimin Evropian, për stabilitetin dhe integrimin e rajonit. Është një moment i mirë”, ka thënë Mogherini.

Në të njëjtat linja komisioneri i BE-së për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn e ka vlerësuar marrëveshjen si një arritje me të vërtetë të madhe në marrëdhëniet dypalëshe, në veçanti kur bëhet fjalë për aspiratat evropiane të Kosovës.

“Është një ditë e madhe për të gjithë ne, duke falënderuar ekipet tona, pa të cilat kjo gjë nuk do të ishte arritur. Mezi pres që të jem në Kosovë javën e ardhshme dhe të çojmë deri në fund atë për të cilën jemi marrë vesh sot dhe të shohim për mundësitë se si ta zbatojmë, sepse tani është koha për zbatim”, ka thënë Hahn.

Ai ka falënderuar Përfaqësuesen e Lartë dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në këtë proces, të cilët punuan në muajt e kaluar, duke e vlerësuar këtë ditë si një arritje për të gjithë familjen evropiane. “Është një deklaratë e fuqishme e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, ka shtuar Hahn.

Top Channel