Nënshkrimi i MSA-së, Tirana zyrtare përshëndet Kosovën

27/10/2015 13:55

Krerët më të lartë të politikës shqiptare uruan Prishtinën zyrtare për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian, duke u cilësuar nga të gjithë si një hap historik për Kosovën.

Presidenti i Republikës Bujar Nishani, në telefonatën që zhvilloi me homologen Atifete Jahjaga, u shpreh se “nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një mbështetje dhe shprehje e fuqishme e besimit europian ndaj institucioneve të Kosovës, një gur themeli për integrimin e përparimin e mëtejshëm të saj në strukturat europiane e euro-atlantike”.

Kryeministri Rama e ka cilësuar gjithashtu një “zhvillim historik për Kosovën, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian, plus një fakt kokëfortë për frytet e dialogut”, – shkruajti kreu i qeverisë shqiptare në Tëitter.

“Nënshkrimi i MSA-së është një arritje madhore e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës dhe një investim i sigurtë për interesat kombëtare të shqiptarëve kudo ku janë. Urime Kosovë”, – shkruajti kryetari i opozitës Lulzim Basha.

“Me nënshkrimin e MSA-së me Kosovën u përmbyll rrjeti i vendeve të Ballkanit Perëndimor, që e kanë përmbushur këtë hap, duke i garantuar Kosovës rrugëtimin e sigurtë drejt Bashkimit Europian”, – ishte deklarata e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.

Top Channel