Kosovë, digjen 3 automjete të Agjencisë së Statistikave

27/10/2015 00:00

Mbrëmjen e së hënës janë djegur tri makina zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Ngjarja ka ndodhur pas orës 22:00, në vendparkimin që ASK shfrytëzon për automjetet zyrtare, në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë.

Tri makinat e djegura janë dhuruar nga donatorët, që kanë financuar projektin e regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, si dhe i përkasin Departamentit të Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare, Departamentit të Statistikave Sociale dhe Departamentit të Statistikave të Bujqësisë.

“Roja i objektit ka qenë këtu dhe, rreth orës 22:20 ka raportuar se kanë qenë disa persona, të cilët nuk ka mundur t’i identifikojë. Fillimisht kanë përdorur shufra metali, pastaj kanë hedhur gaz brenda makinave, e më pas kanë lajmëruar edhe policinë. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa rojet tona dhe të UNOPS-it kanë marrë ujëhedhëset për shuarjen e zjarrit, duke mos lejuar lejuar që makinat të dëmtohen edhe më shumë. Automjetet kanë dëmtime vetëm në pjesën e pasme, në xhamat dhe ndenjëset e pasme”, tha Hazbije Qeriçi, zyrtare për informim në ASK.

Njëri nga dëshmitarët, i cili nuk pranoi të flasë para kamerës, tha se bëhet fjalë për 4 persona të maskuar, të cilët fillimisht thyen me shufra hekuri xhamat e pasme të makinave, më pas u kanë vënë zjarrin, duke futur materiale me lëndë djegëse brenda tyre.

Zyrtarja për informim e Policisë së Kosovës në Prishtinë, Florie Ahmeti tha për Top Channel se, ende nuk është identifikuar asnjë i dyshuar lidhur me këtë ngjarje. Ahmeti tha se hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila u përfol nga disa media si e lidhur me këtë ngjarje, ka mohuar kategorikisht përfshirjen në këtë sulm ndaj ASK-së.

Top Channel