Kosovë, ministri i Arsimit takohet me drejtuesit e UP-së

27/10/2015 00:00

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka takuar anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit publik “Hasan Prishtina”, me të cilët u bisedua për zhvillimet në universitet dhe vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme dhe të parakohshme në UP.

Në komunikatën për media thuhet se, ministri Bajrami ka njoftuar anëtarët e Këshillit Drejtues, që dikasteri të cilin ai drejton do të përgatisë udhëzimin administrativ për organizimin e zgjedhjeve, ku do të përcaktohen modalitetet e zgjedhjeve, dinamika kohore dhe roli i strukturave drejtuese aktuale, deri në zgjedhjen e strukturave të reja të organeve drejtuese të universitetit.

Ministri Bajrami njoftoi anëtarët e Këshillit Drejtues se, për vëzhgimin e këtij procesi zgjedhor në universitet do të ftohen edhe organizatat profesionale ndërkombëtare dhe nacionale.

Ai ka bërë të ditur gjithashtu se, projektligji për Arsimin e Lartë tashmë ka përfunduar dhe brenda javës planifikohet të miratohet në qeveri.

Ministri Bajrami ka kërkuar angazhimin dhe përkushtimin e të gjithë anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së, për bashkëpunim me të gjitha organet e universitetit dhe për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe të parakohshme.

Top Channel