Akuzat për koncesionin e hemodializës, qeveria: Kompanitë fituese, me eksperiencë

27/10/2015 18:00

Pas akuzave të Partisë Demokratike për koncesionin 10-vjeçar të hemodializës, në portalin transparenca.al qeveria ka sqaruar se fitues i garës është shpallur bashkimi i dy operatorëve ekonomikë: “Evita” Sh.p.k. dhe “American Hospital” Sh.a., dy kompani me eksperiencë në hemodializë.

“Përsa i përket pretendimit të opozitës se kompania fituese nuk ka përvojë, sqarojmë se “Evita” Sh.p.k. është një kompani që zotëron një licencë për tregtimin e barnave që nga muaji qershor i vitit 2013, një licencë për shërbim mjekësor nefrologjie në Lezhë që nga muaji dhjetor i vitit 2014, dhe një licencë për shërbim mjekësor nefrologjie në Korçë që prej muajit shkurt të vitit 2014. Gjithashtu, “Evita” Sh.p.k. është përfaqësuese zyrtare e prodhuesit japonez “NIPRO”, një kompani prestigjioze ndërkombëtare e prodhimit të makinave të hemodializës, i sistemeve të trajtimit të ujit për hemodializë, si dhe materialeve mjekësore të përdorshme në shërbimin e hemodializës. Ndërkohë, “American Hospital” Sh.a. është një subjekt i mirënjohur jopublik i ofrimit të shërbimeve shëndetësore, dhe prej disa vitesh, shërbime të kujdesit shëndetësor, përfshirë edhe shërbimin e hemodializës, të financuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”, shkruhet në reagimin e publikuar te transparenca.al.

Top Channel