Parlamenti Europian shfuqizon shërbimin “roaming”

27/10/2015 00:00

Shfuqizimi i shërbimit “roaming” për përdorimin e internetit, telefonave apo mesazheve brenda shteteve të Unionit, u miratua më në fund nga Parlamenti Europian, pas marrëveshjes së arritur më herët në muajin qershor.

Pas shumë kontesitmesh, me reformen e re , anëtarët e Parlamentit duan që të shmangin atë që konsiderohet si “mankthi i personave” të cilët kur ktheheshin në shtëpitë e tyre pas udhëtimeve jashtë shtetit, gjendeshin përballë faturave shumë të shtrenjta telefonike.

Ish-zv.presidentja e Komisionit Europian, Viviane Reding e konsideroi këtë si një arritje. “Pas 10 viteve të lodhshme ‘betaja e “roaming”’ ka përfunduar”, tha ajo. Sikurse e cilësoi Reding, kjo është një fitore për konsumatorët dhe një hap drejt një tregu dixhital europian të vetëm dhe të vërtetë.

Edhe përdoruesit e telefonisë celulare në Mbretërinë e Bashkuar të cilët do të udhëtojnë në Europë tani në vazhdim do të paguajnë të njëjtat çmime si ato në Angli.

Deputetja liberal-demokrate, Catherine Bearder u shpreh se një nismë e tillë, mbi të gjitha do t’i bëjë udhëtimet edhe më të lehta. Lajmi u mirëprit nga shumica e anëtarëve, megjithatë edhe kontestimet nuk munguan. Disa pretendojnë se kompanitë celulare do të kërkojnë ta nxjerrin sërish fitimin e tyre që merrnin nga shërbimi “roaming”, duke e bërë thjesht me rritje të përgjithshme në tarifat që ata ofrojnë.

Monique Goyens, drejtoresha e përgjithshme e Organizatës Europiane të Konsumatorëve, e konsideroi prerjen e shpenzimeve për konsumatorët si një reformë të madhe, por sipas saj, disa klauzola mbeten ende për t’u zgjidhur dhe rishqyrtuar, me qëllim moskrijimin e një konfuzioni në shërbimin bazë të komunikimit.

Megjithatë, për Komisionin Europian ndryshimet e reja në tregun e telekomit do t’i japin fund “faturave të shtrenjta telefonike dhe sigurisht nuk do të reduktojnë buxhetin tuaj teksa jeni me pushime”.

Top Channel