ISIS, SHBA përshkallëzon sulmet. Carter: Trupa tokësore krahas forcave irakene

27/10/2015 00:00

Trupat amerikane janë duke përshkallëzuar presionin ndaj militantëve të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, duke mbështetur forcat lokale me një fushatë ajrore më të zgjeruar, si dhe ndonjëherë edhe përfshirje të drejtpërdrejtë në terren, ka bërë të ditur Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, teksa ka folur përpara ligjvënësve këtë të martë.

Duke dëshmuar në krah të Sekretarit Carter përpara Komitetit të Shërbimeve të Armatosura në Senat, gjenerali i Marinës Joseph Dunford, gjithashtu edhe shef i Shtabit të Përgjithshëm, tha se do të ishte i gatshëm të konsideronte rekomandimin e bashkimit të trupave amerikane me ata të Irakut në luftën kundër Shtetit Islamik, nëse kjo gjë do të përmirësonte mundësitë e mposhtjes së xhihadistëve.

Carter tha se fushata kundër ISIS ka evoluuar, ndaj dhe ushtria amerikane duhet të synojë të përforcojë përpjekjet në terren. Ai tha se marinsat amerikanë kanë për qëllim të intensifikojnë presionin ndaj bastioneve të ISIS në Raqqa të Sirisë dhe Ramadi të Irakut.

Carter pret që e gjithë fushata ajrore e koalicionit të vendeve të Perëndimit të përshkallëzohet, me më shumë avionë luftarakë dhe me një shpeshtësi më të lartë të operacioneve. Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të hezitojnë të mbështesin forcat lokale me “sulme nga ajri, apo veprime të drejtpërdrejta nga toka”.

Dunford tha se hedhja e trupave amerikanë në terren me forcat irakene mund të sigurojë efektivitet logjistik dhe të rrisë vetëdijen e shërbimeve inteligjente.

Një sulm ajror kundër ISIS-it gjatë javës së kaluar, në të cilën forcat amerikane këshilluan forcat kurde, rezultoi me vdekjen e një ushtari amerikan dhe shpëtimin e rreth 70 pengjeve. “Nëse kjo pati një impakt operacional apo strategjik dhe nëse ne duhet të përforcojmë pasjen e suksesit, atëherë kjo do të ishte korniza bazë e punës brenda së cilës unë do të rekomandoja shtimin e forcave për t’u rivendosur me njësitë irakene”, tha Dunford.

Top Channel