Sa shpenzojnë zonjat për bukurinë?

27/10/2015 00:00

Ka shumë presion si te meshkujt, ashtu edhe te femrat për t’u dukur bukur në çdo moment.

Një sondazh i kryer nga “YouGov” dhe “Huffington Post” në vitin 2014 në SHBA, ka gjetur se një e katërta e meshkujve (25%) dhe rreth një e pesta e femrave (21%) harxhojnë më shumë se 30 min për t’u bërë gati çdo mëngjes. Ndërsa në mbrëmje, gati gjysma e femrave duan më shumë se 30 min për t’u bërë gati në kohë.

Gratë janë ato që harxhojnë më shumë, për sa u përket produkteve kozmetike. Raportet tregojnë se, kjo industri ka pasur të ardhura mbi 55 miliardë dollarë në vitin 2014.

Kompanitë e bukurisë raportojnë se, një grua e zakonshme mes moshës 16-65 vjeç blen produkte të paktën 5 herë në vit. Për çdo herë, ajo harxhon rreth 43 dollarë, pra 215 dollarë në një vit. Nëse kjo shumë do të depozitohej në një fond pensioni, në moshën 70-vjeçare arrin 100 mijë dollarë.

Ndonjëherë, njerëzit shkojnë shumë larg për të qenë të bukur. Sipas Shoqatës amerikane të Kirurgëve plastikë, 15.1 milionë procedura kozmetike janë kryer në vitin 2013, e cila shënon një rritje me 3% nga viti i kaluar.

Nga këto raste, shumica absolute me rreth 13.4 milionë ishin procedura me ndërhyrje minimale, si injeksione botoksi apo trajtime kimike të ndryshme. Ndërkohë, 1.6 milionë njerëz iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale estetike, si zmadhimi i gjoksit, rimodelimi i hundës apo eliminimi i dhjamit.

Njerëzit janë gjithnjë e më të gatshëm për të shpenzuar shumë parà, ndonjëherë edhe me risk të madh, në mënyrë që të duken sa më bukur. A do të ndryshojë ndonjëherë kjo gjë?

Top Channel