Rubik, vështirësitë ekstreme të një familjeje

27/10/2015 00:00

Të jetosh buzë rruge, në një shtëpi ku dyert dhe dritaret mungojnë. Ku i ftohti dhe pasiguria të trembin, por jo aq shumë sa varfëria.

Familja e Gjovalin Palokës, në Fang të Rubikut, prej 12 vitesh gjendet në këtë situatë. Mungesa e parave i ka lënë në këto kushte. Roza, zonja e shtëpisë, nënë e 2 fëmijëve, është ajo që mban familjen. Kohë pas kohe udhëton në Greqi te të afërmit, ku bën punë sezonale dhe me lekët që fiton, shlyen borxhet e bëra pirg. Sot ka vendosur të hapë dyert e shtëpisë, ku me plot drojë na prezanton me varfërinë.

“Këtu kam domate të regjura, patate, yndyrë që tres për fëmijët”, thotë Roza.

Ushqimi, që për shumëkënd është një vakt mëngjesi, për fëmijët e Rozës është dreka.

“Këtu kam bukën e fëmijëve, bukë me reçel do t’u jap sot në drekë”, shprehet më tej ajo.

Por, mesa duket, edhe mielli shumë shpejt do të kthehet në një pamundësi për të.

“S’kam as miell, më është mbaruar. S’e blej dot”, rrëfen Roza.

Prej më shumë se një viti, Roza dhe Gjovalini kanë humbur djalin e tyre 10-vjeçar, Mateon, nga një sëmundje e pashërueshme në tru. Gjendja e vështirë ekonomike ka qenë më e ndjeshme gjatë ditëve të kaluara në spitale, pavarësisht ndihmës së dhënë nga Kisha dhe të afërmit e tyre.

“Një herë më pati sjellë motër Tonina lekë, pastaj e çova në Rrëshen se s’kisha ku ta mbaja”, thotë Roza.

Për burrin e shtëpisë, Gjovalinin, kjo situatë vjen vetëm nga shpenzimet gjatë sëmundjes së Mateos. Ai nuk do ta pranojë varfërinë.

“Tani probleme kanë të gjithë, por mua më ka qëlluar puna e fëmijës”, thotë Gjovalini.

Shpenzimet ditore për Gjovalinin dhe familjen e tij janë thuajse minimale.

“Mesatarisht në ditë 200-300 lekë. Jo më shumë”, thotë kryefamiljari.

Pas punëve të shtëpisë, Roza dhe Gjovalini presin që fëmijët të kthehen nga shkolla. Më pas, për ta nis sfida e përditshme, ajo e të ushqyerit dhe mbijetesës.

Top Channel