PE dhe BE: MSA, një stimul për Kosovën

27/10/2015 00:00

Raportuesja për Kosovën, njëkohësisht zëvendëspresidente në Parlamentin Europian, Ulrike Lunaçek bëri thirrje ndaj legjislativit europian dhe Kuvendit të Kosovës për të përshpejtuar procesin e ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, menjëherë pas nënshkrimit të saj.

Në komunikatën për shtyp të shpërndarë nga Komiteti i Jashtëm europarlamentar, ajo arsyeton se “MSA-ja do të japë një stimul të fuqishëm për zbatimin dhe institucionalizimin e reformave dhe të mundësive të reja për Kosovën, që të forcojë marrëdhëniet me fqinjët e saj dhe të kontribuojë në stabilizimin e rajonit. Ne duhet të shfrytëzojmë këtë mundësi për të konfirmuar dëshirën tonë për t’i dhënë hov të ri procesit të zgjerimit”, shprehet raportuesja Lunaçek, e cila e quan “lajm të mirë” nënshkrimin e MSA-së dhe “hap të rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE”.

Në të njëjtën linjë reagoi institucionalisht dhe Bashkimi Europian, duke e konsideruar “një moment të mirë”. Përfaqësuesja e Lartë Mogherini citohet në deklaratën për shtyp të Këshillit të BE-së se “pret sa më shpejt hyrjen në fuqi të marrëveshjes”, që do të sjellë sipas saj “shumë të mira për qytetarët e Kosovës dhe të BE-së, për stabilitetin dhe integrimin e rajonit”.

Në përfundim, deklarata konfirmon se “BE-ja do të vazhdojë mbështetjen ndaj progresit të Kosovës në rrugën europiane, përmes procesit të Stabilizim-Asociimit”, dhe kujton se “BE i caktoi 645.5 milionë euro Kosovës” në mbështetje të reformave të nevojshme për periudhën 2014-2020.

Nënshkrimi i MSA-së u përshëndet nga kryediplomatët e disa vendeve anëtare të BE-së, që e njohin pavarësinë e Kosovës. “Një levë thelbësore për forcimin e bashkëpunimit mbi çështjet ekonomike, tregtare dhe politike” e konsideroi Sekretari francez i Shtetit për Çështjet Europiane, Harlem Dèsir.

Përmes një komunikate për shtyp, ai shprehet se kjo marrëveshje do të shërbejë për “zbatimin e reformave të domosdoshme për përafrimin e saj europian” dhe do t’i kushtohet një vëmendje e veçantë “sundimi të ligjit, drejtësisë dhe punëve të brendshme”.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel