Vlorë, “të dhunuar” nga varfëria

27/10/2015 00:00

Thonë se varfëria është forma më e keqe e dhunës. E nëse është vërtet kështu, atëherë kjo familje në fshatin Akërni të Novoselës, në Vlorë, dhunohet sistematikisht që nga krijimi i saj. Në ndërtesën pa çati, Arta dhe Genci Meminaj jetojnë me 3 fëmijët e tyre. Një nga vajzat është 13 vjeç dhe me aftësi të kufizuara mendore.

Prej vitesh, ata i mbijetojnë një varfërie ekstreme. Të gjithë shpresën për ndonjë parà më tepër e kanë te mbeturinat. E megjithatë, shpeshherë skamja e tyre ulëret.

“Më shumë rrimë pa ngrënë. Iku goca sot në shkollë pa ngrënë. Blej dy bukë në ditë dhe nuk më dalin. Zgjohet djali natën e qan”, thotë Arta.

Sikur të mos u mjaftonin hallet e tjera, së fundmi përjetuan dhe ankthin e përmbytjeve.

“Ishim në gjumë. Fëmijët u pataksën. Filluan të qanin”, rrëfen Arta.

Për kryefamiljar Gencin, shpenzimet për 5 anëtarët e familjes së tij nuk i kalojnë thuajse kurrë 400 lekë në ditë, edhe pse ai ëndërron një tjetër realitet.

“Shpenzimet e mia mujore duhet të shkojnë të paktën 12 mijë lekë në muaj që të mbaj familjen”, thotë Genci.

Nëse familja do të kishte ndonjë rast urgjent për të zgjidhur, Genci nuk do të mund t’u vinte në ndihmë. Xhepat e tij janë bosh.

“Asnjë lek. Absolutisht asnjë lek. Në rast se më kërkojnë fëmijët ndonjë gjë do merrja borxh, ose me listë”, thotë kryefamiljari.

Pas gjurmëve që lanë pas përmbytjet e fundit, fqinjët e kanë ndihmuar Artën me një dhomë të përkohshme në shtëpinë përballë, ku edhe gatuan. Ushqimi i radhës është një drekë e sajuar nga halli.

“Po bëj lakra të egra. Mishin dhe frutat i shikoj në ëndërr. Ato lekë s’më dalin për bukën”, thotë Arta.

Kujdesi për vajzën e sëmurë i merr pjesën më të madhe të kohës. Pamundësia për t’i blerë ilaçe është e vetmja plagë, që i ul kokën dhe e detyron të kërkojë ndihmë.

“I bëj thirrje çdo njeriu, që të paktën të më ndihmojë për gocën. Është fëmijë në fund të fundit”, lutet Arta.

Top Channel