Fushata ruse në Siri, kthehet në shtëpi trupi i viktimës së parë

27/10/2015 00:00

Trupi i të parit ushtarak rus të rënë gjatë fushatës ajrore 4-javore në Siri është dërguar te prindërit e tij gjatë së martës, por këta të fundit janë shprehur ende të pabindur nga llogaridhënia e ushtrisë se, djali i tyre 19-vjeçar kishte varur veten.

Në një intervistë dhënë për “Reuters” nga shtëpia e tyre në jug të Rusisë, përpara se ata të merrnin trupin e pajetë të djalit të tyre Vadim, Alexander dhe Svetlana Kostenko thanë se djali i tyre u ishte dukur i gëzuar në bisedën telefonike të së shtunës, pikërisht ditën që ai humbi jetën teksa punonte në një bazë ajrore në kufi me Sirinë.

“Nuk do ta besoj kurrë versionin e vetëvrasjes”, thotë Svetlana, e veshur në të zeza. “Kemi folur përditë në telefon me të për rreth 30 minuta. Të shtunën u duk tepër i lumtur, i gëzuar dhe qeshte vazhdimisht”, tha e ëma e viktimës.

Alexander, babai i Vadimit, duke folur me zë tepër të ulët pranoi se “na u tha që ai kishte varur veten për shkak të një vajze. Nuk do ta kishte bërë kurrë diçka të tillë. E njihja shumë mirë djalin tim”.

Trupi i pajetë i tij u dërgua pasditen e së martës me anë të një kamioni ushtarak. Ushtarë të tjerë mbajtën mbi supe arkivolin me trupin e pajetë deri në brendësi të shtëpisë së tij. Menjëherë pas saj, një grua nisi të dëgjohej teksa qante me zë të lartë. Vetëm pak kohë më pas erdhi një tjetër arkëmort druri të lëmuar.

Pak pasi familjarët e tij panë trupin e të pajetit, motra e vogël e Vadimit 14-vjeçare, Katya i tha reporterëve të “Reuters” se kufoma ishte e padëmtuar dhe se nuk ishte ende e qartë nëse ai kishte varur veten apo ishte mbytur.

Kostenko ishte një prej anëtarëve të stafit mbështetës të Forcave Ajrore ruse. Ai nënshkroi një kontratë më 20 qershor dhe u transferua në Siri me avion më 14 shtator, dy javë përpara se të niste fushata ajrore e Kremlinit, bëri të ditur i ati. Ai tha se kishin mësuar për vendndodhjen e Vadimit (në Siri) vetëm kur kjo ishte bërë fakt i kryer.

Ndërkohë, agjencia e lajmeve “Interfax” ka cituar një burim nga shërbimi për shtyp i Ministrisë së Mbrojtjes që konfirmonte vdekjen e tij.

Top Channel