Tiranë, sekuestrohen 9950 paketa cigare kontrabandë, në pranga 3 persona

28/10/2015 09:40

Policia e Tiranës ka njoftuar sekuestrimin e 9950 paketave cigare kontrabandë dhe arrestimin e 3 personave në kuadër të operacionit nga Sektori për Krimin Ekonomik e Financiar të koduar “Të kamufluarit”.

Të arrestuarit janë 57-vjeçari Agron Tice, bashkëshortja e tij, 46-vjeçarja Miranda Tice dhe 49-vjeçari Ismail Xhengo. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik kanë marrë informacion në rrugë operative për veprimtarinë e kundraligjshme në fushën e kontrabandës së cigareve të kryer nga shtetasit Agron dhe Miranda Tice, të cilët kamuflonin veprimtarinë e tyre të kundraligjshme, duke shitur produkte të ndryshme industriale në një dyqan të ndodhur në zonën e Tregut të Shkollës Teknologjike Tiranë.

Shtetasit e arrestuar janë kapur në flagrancë në një banesë private në pronësi të shtetasit Ismail Xhengo, në zonën e Fushës së Aviacionit, në të cilën kishin improvizuar një depo në të cilën mbanin cigaret kondrabandë.

FOTO GALERI
1/4
Tiranë, sekuestrohen 9950 paketa cigare kontrabandë

Top Channel