Gjermania detyron bankat t’u ofrojnë shërbime refugjatëve

28/10/2015 00:00

Kabineti qeveritar i Angela Merkelit në Gjermani ka firmosur një projektligj këtë të mërkurë, i cili do t’ua bëjë më të lehtë qindra e mijëra azilkërkuesve të ardhur në këtë vend që të hapin llogari bankare.

Bazuar mbi legjislacionin e ri, kushdo do të ketë të drejtën për të shfrytëzuar shërbimet bazë bankare, përfshi edhe të pastrehët dhe njerëzit që ndodhen nën mbrojtjen e Konventës për Refugjatët të Gjenevës.

Kjo nënkupton se emigrantët e ardhur në Gjermani mund të hapin llogari bankare në çdo institucion të tillë, duke mundësuar kështu depozitimin dhe tërheqjen e parave “cash”, të kryejnë transferta bankare, debitime të drejtpërdrejta dhe pagesa me karta debiti/krediti.

Gjermania pret rreth 800 mijë deri në një milion refugjatë brenda këtij viti, shumica e të cilëve largohen nga zonat e luftës në Lindjen e Mesme dhe Afrika Veriore, edhe pse nuk do t’u mundësojë të gjithë atyre të drejtën e azilit.

Duke u dhënë refugjatëve akses në sistemin bankar, gjermanët duket se po bëjnë hapin e parë të integrimit të tyre në shoqëri.
 
“Ata që nuk kanë llogari bankare, nuk kanë perspektivë të mirë në tregun e punës. Edhe kërkimi për një banesë për t’u strehuar është gjithashtu një problem për shumë njerëz pa llogari bankare”, tha ministri i Drejtësisë, Heiko Maas.

Në Gjermani, numri i personave pa llogari bankare është në shifrat më të lartë 6-shifrore, sipas përllogarive të Komisionit Europian, e kjo pritet të rritet edhe më tepër për shkak të fluksit të refugjatëve kryesisht nga Siria.

Deri më tani, vetëm pak banka të nivelit të parë, me kontroll publik, kanë pranuar refugjatët si klientë të tyre. Shpesh ata janë larguar teksa kanë trokitur në dyert e disa bankave, për shkak se nuk kanë një adresë të qëndrueshme banimi, apo u mungojnë dokumentet e nevojshme për të hapur një llogari bankare.

Top Channel