Prifti polak: Kisha ua bën jetën “ferr” homoseksualëve

28/10/2015 00:00

“Jam gay, por nuk jam përbindësh”. Krzysztof Charamsa, ish-kleriku i Vatikani i shpallur i “padenjë për veladonin” e i shkarkuar nga posti që mbante, pasi deklaroi publikisht homoseksualitetin e tij, është vënë edhe një herë në qendër të vëmendjes mediatike, si me intervistën ku nuk mohon hapur planet për t’u martuar me të dashurin e vet, ashtu dhe me letrën e drejtuar Papa Françeskut, ku akuzon Kishën se ua bën jetën “ferr” milionave homoseksualëve katolikë në mbarë globin.

Charamsa kritikon hipokrizinë e Vatikanit, siç e quan ai ndalimin e rreptë të priftërinjve homoseksualë, në një kohë kur është i mbushur me të tillë. Akuzave të rënda të atij, që deri përpara një muaji mbante një post të lartë drejtues në Kongregacionin e doktrinës së besimit, departamentit përgjegjës për doktrinën romanokatolike, Papa nuk i është përgjigjur ende.

Monsinjori 43-vjeçar u zhvesh menjëherë nga titulli që mbante, sapo përfundoi konferencën për shtyp në Romë, ku tha hapur se ishte gay dhe aktualisht në një marrëdhënie të qëndrueshme me dikë.

Besimi katolik i dikton priftërinjve beqarinë, e sa për lidhjet mes personave të të njëjtit seks, ato në këtë këndvështrim janë krejtësisht të paimagjinueshme.

Vendimin e priftit polak për të dalë publikisht me të tilla deklarata në vigjiljen mbi familjen, Vatikani e cilësoi si “të papërgjegjshëm”, ndërsa pas tij Selia e Shenjtë pa qëllimin për t’ia nënshtruar asamblenë presionit mediatik.

Sinodi i Kishës katolike, ku morën pjesë 270 peshkopë nga i gjithë globi, u mbyll zyrtarisht me risinë e një hapjeje të Kishës ndaj besimtarëve të divorcuar e atyre që rimartohen, ndërsa qëndrimi pastoral ndaj homoseksualëve mbeti i pandryshuar.

Top Channel