Prokovimi në detin e Kinës Jugore, Kina “nuk ka frikë të luftojë” kundër SHBA-ve

28/10/2015 00:00

Kina nuk i frikësohet një lufte të mundshme kundër Shteteve të Bashkuara në detin e Kinës Jugore, pretendon një gazetë shtetërore që ka lidhje me Partinë Komuniste në pushtet.

24 orë pasi Uashingtoni sfidoi pretendimet territoriale të Pekinit në rajonin e detit të Kinës Jugore, duke dërguar një anije luftarake në ujërat përreth arkipelagut të shumëpretenduar Spratly, media tejet nacionaliste “Global Times” akuzoi Pentagonin për provokim ndaj Kinës.

“Përballë ngacmimeve të SHBA-ve, Pekini duhet të sillet me takt ndaj Uashingtonit dhe të përgatitet edhe për më të keqen”, argumentonte gazeta në një editorial të së mërkurës. “Kjo mund të bindë Shtëpinë e Bardhë se Kina, pavarësisht se nuk e dëshiron diçka të tillë, nuk është e frikësuar për të zhvilluar një luftë me SHBA-të në atë rajon dhe është e vendosur për të mbrojtur interesat e saj kombëtarë dhe dinjitetin mbi të gjitha”.

E përditshmja “Ushtria Çlirimtare e Popullit”, gazeta më e ndjekur ushtarake në Kinë, shfrytëzoi një editorial në kopertinën e saj për të akuzuar SHBA-të se po krijon tensione dhe kaos në vende si Afganistani dhe Iraku.

“Faktet e pakundërshtueshme tregojnë se SHBA-të, siç edhe këtë herë, kanë përdorur forcën ndoshta nga pakujdesia dhe kanë nisur luftëra, duke nxitur trazira aty ku dikur ka pasur stabilitet, e duke u shkaktuar dëme të pariparueshme vendeve të përfshira drejtpërdrejt”, shkruhet në artikullin e gazetës kineze.

Manovrat e së martës, ku u pa një anije luftarake shkatërruese “USS Lassen” të lundronte shumë pranë ishujve artificialë të pretenduar nga Kina, vijnë pasi Barack Obama dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping dështuan të gjenin një terren të përbashkët për zgjidhjen e kësaj çështjeje, gjatë bisedimeve të fundit të zhvilluara në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter paralajmëroi se “edhe operacione të tjera në kuadër të lirisë së lundrimit” do të zhvillohen në rajonin në fjalë. “Do të ngrejmë avionë në fluturim, do të lundrojmë me anije dhe do të operojmë kudo ku e lejojnë ligjet ndërkombëtare”, tha ai përpara një dëgjese në Kongresin amerikan.

Top Channel