Sqarohet paniku për mishin, OBSH: Të bën dëm nëse e ekzagjeron

28/10/2015 00:00

Pas alarmit, vjen dhe sqarimi për të gjithë ata, që nxituan të dilnin në përfundime të prera: mishi i kuq dhe ai i përpunuar përbëjnë vërtet rrezik për shëndetin, – thotë OBSH, – por vetëm nëse me konsumin e tyre abuzohet.

Përdorimi sidomos i produkteve të tilla si salçiçet e proshutat duhet kufizuar, megjithatë nuk ka përse eliminohen krejtësisht nga dieta ushqimore. Mishi i kuq aq më pak. Problemet nisin nga ekzagjerimet, – theksoi zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Oleg Chestnov.

Paniku që shkaktoi raporti i OBSH-së nxiti thirrjet sa të ekspertëve, ashtu edhe të kompanive të ndryshme të prekura prej tij, që të kërkojnë një lexim më të kujdesshëm të dokumentit. Jo më kot, aty theksohet në mënyrë të veçante rreziku i përbërësve, që i shtohen mishit të përpunuar, siç janë konservantët.

Kujdes? Patjetër, por të mos biem në alarmizëm! Ky është apeli i atyre, që te studimi i OBSH-së shohin nevojën e një përzgjedhjeje të kujdesshme të ushqimeve dhe sasisë së konsumuar.

E si për të treguar se mishi nuk është aq i rrezikshëm, ndërsa ndodhej në bordin e “Air Force One”, Presidenti amerikan Barack Obama zgjodhi të konsumonte për drekë një hamburger të bollshëm me mish viçi, proshutë e salcë pikante.

Organizata europiane e përpunimit të mishit, “Clitravi” është hedhur në kundërsulm me argumentet se, ka prova të padiskutueshme shkencore mbi të mirat e konsumit të mishit në kuadrin e një diete të shëndetshme dhe mbi faktin që si ai vetë, ashtu dhe nënproduktet e tij përbëjnë një burim të rëndësishëm vlerash ushqimore.

Top Channel