Dhunoi një nxënës me ngjyrë në shkollë, hetohet polici në SHBA

28/10/2015 00:00

Autoritetet lokale në Karolinën e Jugut kanë kërkuar një investigim të pavarur nga ana e FBI-së për një video, e cila shfaq dhunën e ushtruar brenda një klase nga një polic ndaj një studenti me ngjyrë, duke e hedhur atë me forcë nga karrigia

Videoja u shpërnda shumë shpejt nëpër rrjetet sociale, duke ngjallur edhe reagime. Distrikti i shkollës u shpreh “thellësisht i shqetësuar” në lidhje me incidentin dhe është duke punuar me forcat e zbatimit të ligjit. Oficeri i policisë, njëkohësisht protagonist i videos, nuk do të rikthehet në punë, derisa të dalë rezultati i hetimeve.

Në një minutë e gjysmë klip shfaqet vetëm polici, i cili me forcë i kërkon djalit të çohet në këmbë. “Çohu! A do të vish me mua, apo të të bëj unë që të vish? Vendos duart prapa shpine”.

Në SHBA mjaftoi një shkëndijë e tillë për të rizgjuar debatin e dhunës së ushtruar nga policia kundrejt komunitetit afroamerikan, pasi siç shfaqjet edhe në pamjet e xhiruara, nxënësi i dhunuar është me ngjyrë.

Videoja shkaktoi gjithashtu shqetësim edhe tek aktivistët e shquar kundër brutalitetit policor, të quajtur grupi “Rise Up October”, të cilët këtë muaj kanë manifestuar nëpër shtete të ndryshme të SHBA-ve kundër forcave blu. Të tjera organizata që mbrojnë të drejtat e njeriut në Amerikë, deklaruan se duhen marrë masa për të adresuar dhunën e ushtruar sidomos në shkollë.

Top Channel