Raporti i BB-së, PD: Më negativi që merr një qeveri shqiptare

28/10/2015 14:20

Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Florion Mima, ka deklaruar se raporti “Doing Business” i Bankës Botërore, që e sheh Shqipërinë 35 vende më poshtë krahasuar me një vit më parë, është “më negativi që merr një qeveri shqiptare për ekonominë e vendit”.

”Edi Rama shpenzoi kot dhjetëra-mijëra euro nga taksat e shqiptarëve, në luksin e shfrenuar të hoteleve më luksoze të Hong-Kongut, pasi thirrja e tij ndaj biznesit kinez për të investuar në Shqipëri u hodh në kosh të plehrave nga raporti më i rëndësishëm i Bankës Botërore, “Doing Business”. Investitorët, përpara se të marrin një vendim, nuk dëgjojnë pallavrat e Edi Ramës, por shohin raportin e Bankës Botërore për Shqipërinë, ku ne kemi humbur 35 vende krahasuar me një vit më parë. Jemi sot vendi i fundit në rajon dhe për lejet e ndërtimit, vendi i fundit në botë”, u shpreh Mima.

Deputeti i opozitës shtoi se “të gjitha këto përkeqësime dramatike për biznesin lidhen me qeverisjen dhe me Edi Ramën drejtpërdrejt”.

“Korrupsioni skandaloz i shtrirë masivisht, klientelizmi dhe fakti që vetëm ndërtuesit e tij punojnë sot, rritja e taksave dhe, nga ana tjetër, kontrabanda e evazioni i stërmadh, represioni dhe dhuna ndaj biznesit që nuk është afër qeverisë, të gjitha këto kanë sjellë këtë rezultat dramatik. Ky është raporti më negativ që merr një qeveri shqiptare për ekonominë e vendit. Edi Rama, ka bërë gjithçka për të ardhur në këtë ditë. Kjo pasaportë e zezë për Shqipërinë është një pengesë serioze për ardhjen e investitorëve dhe për zhvillimin e ekonomisë”, shtoi Mima.

Top Channel