Meta në SHBA: Marrëdhëniet Shqipëri-Amerikë, me interes strategjik

28/10/2015 00:00

Gjatë qëndrimit në SHBA, në kuadër të Konferencës Parlamentare për Inteligjencën dhe Sigurinë, kryetar i Kuvendit Ilir Meta është pritur në takime të veçanta nga kongresmenë amerikanë.

Fillimisht Meta u takua me kryetarin e Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave në Kongres, kongresmenin Pette Sessions, me të cilin diskutoi çështje të bashkëpunimit mes dy institucioneve, rritjen e shkëmbimeve parlamentare dhe ofrimin e ekspertizës së Kongresit Amerikan për çështjet e hartimit të ligjeve dhe zbatimit të kushtetutshmërisë.

Në këtë takim u diskutua edhe mbi reformat e rëndësishme që po ndërmerren në Shqipëri, veçanërisht ajo në fushën e drejtësisë, si dhe u shkëmbyen mendime mbi çështje të rëndësishme të sigurisë si situata në Lindjen e Mesme dhe Mesdhe, kriza e refugjatëve dhe situata në rajon, ku u theksua roli i Shqipërisë si një faktor paqeje dhe stabiliteti.

Më tej Meta u prit në një takim edhe nga kryetari i Komisionit të Jashtëm të Kongresit, Ed Royce, me të cilin bisedoi pikërisht mbi politikën e jashtme dhe sigurinë, konkretisht për rolin e Shqipërisë në NATO dhe kontributin e saj në misionet paqeruajtëse.

Edhe në këtë takim u vlerësua roli i Shqipërisë në rajon si një faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin, ndërsa u fol për çështje të tjera, si lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe masat që po ndërmerr Shqipëria në këtë drejtim.

Meta vijoi takimet kokë më kokë me kongresmenin Dana Rohrabacher, me të cilin e vuri theksin tek rëndësia e nxitjes së biznesit amerikan për të investuar në Shqipëri, në sektorë strategjikë.

Një tjetër takim ishte ai me kongresmenin Eliot Engel, të cilin kryetari i Kuvendit e vlerësoi si një mik të madh të Shqipërisë, ndërsa nuk ngurroi të shprehej se Shqipëria është një partner luajal i SHBA-ve.

“Do të jemi përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përballimin e sfidave globale. Terrorizmi mbetet një problem global dhe bashkëpunimi ynë do të vazhdojë në kuadër të NATO-s. Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA janë me interes strategjik”, tha Meta.

Në kuadër të konferencës, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë u takua edhe me ish-sekretarin e Sigurisë së Brendshme, Michael Chertoff, me të cilin diskutoi për rritjen e bashkëpunimit mes agjencive të inteligjencës për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes.

Top Channel