Kosovë, Jahjaga do t’i drejtohet Kushtetueses për Asociacionin

28/10/2015 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga konfirmoi raportimin e Top Channel të një jave më parë, se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjet e kontestuara nga opozita, të nënshkruara me Serbinë dhe Malin e Zi.

Ajo e bëri të ditur këtë në një konferencë për mediat, pas takimit me Presidentin austriak Heinz Fischer. Nga ana e tij, Presidenti i Austrisë tha se është duke e vëzhguar me interes situatën e brendshme politike në Kosovë. Ai shtoi se, bashkëpunimi mes opozitës dhe pozitës, në secilën demokraci europiane është problematik, megjithatë shfaqi bindjen se institucionet e Kosovës kanë kapacitetet e tyre për zgjidhjen e situatës.

Ai u ndal te marrëveshja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, për të cilin tha se, për këtë temë nuk bëhet fjalë që të ketë rrafsh të ri kushtetues, por këto komuna të kenë të drejtën të bashkohen nëse mundet, mirëpo Presidenti austriak shtoi se “këtë vendim duhet ta marrin Parlamenti dhe institucionet”.

Top Channel raportoi javën e kaluar se, Presidentja do t’i drejtohej kësaj gjykate dhe se, propozimi i saj ka gjetur mbështetjen edhe të ambasadave të vendeve të Kuintit. Nga data e depozitimit në Kushtetuese, kjo gjykatë ka në dispozicion 60 ditë për të kthyer përgjigje.

Ky vendim i presidentes ka ardhur si propozim i saj për daljen nga kriza politike, pas takimeve që kryetarja e vendit ka zhvilluar me udhëheqësit e partive politike. Burime të sigurta të Top Channel, të konfirmuara një javë më parë nga pozita dhe opozita, kanë treguar se ideja e Jahjagës gëzon mbështetje edhe nga palët politike.

Tanimë duket se ekziston një pajtueshmëri, që qeveria të mos ngutet me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, pa u trajtuar më parë përmbajtja e marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese. Ky hap i ndërmarrë nga Presidentja pritet të zbusë qëndrimet e opozitës dhe do të ndikojë në normalizim të situatës, të paktën deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.

Top Channel