Vjenë, Irani i bashkohet tryezës së bisedimeve për krizën siriane

28/10/2015 00:00

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif do të marrë pjesë në bisedimet shumëpalëshe, që organizohen këtë javë në Vjenë të Austrisë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje mbi konfliktin e përgjakshëm sirian.

Kjo do të përbëjë të parën herë, që Republika Islamike, aleate e Presidentit Bashar al-Assad merr pjesë në një samit të tillë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në bisedime do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Rusisë, Arabisë Saudite dhe Turqisë.

Uashingtoni kishte pohuar më herët se, Irani ishte ftuar të merrte pjesë në takim, lëvizje kjo që nuk është pritur edhe aq mirë nga opozita siriane, e mbështetur prej Perëndimit.

Raundi kryesor i negociatave pritet të mbahet të premten, edhe pse diplomatët sqarojnë se disa takime të shkurtra parapërgatitore mund të zhvillohen që të enjten mbrëma.

Top Channel