Basha: Po vjedhin pasurinë kombëtare

28/10/2015 00:00

Në Fier Lulzim Basha akuzoi qeverinë se vetëm nga vënia në përdorim pak muaj më parë për një periudhë të shkurtër e rafinerisë së naftës kanë fituar në mënyrë të paligjshme rreth 100 milionë dollare, 13 e të cilave duhet të ishte taksë për shtetin.

“30 milionë dollarë TVSH e papaguar vetëm në ato muaj në fund viti që u ndez rafineria. Çfarë do të mund të bënin në Fier me 30 milionë dollare? Vetëm me këtë vjedhje me një dorë, 3 muaj 30 milionë dollarë janë shtuar kontot e oligarkëve të lidhur me qeverinë që ngrejnë vila e saraje nga Surreli në bregdet”, tha Basha.

Lulzim Basha e tha këtë për të treguar sesi qeveria po sillet dhunshëm me qytetarët e vet, ndërsa po pasurohet bashkë me klientët e vet me pasuritë publike. Ai u premtoi tregtarëve në Fier se qeveria e tij, nëse merr votëbesimin, do të jetë në shërbim të rimëkëmbjes ekonomike të vendit.

“Qëllimi im është punësimi dhe mirëqenia. Punësimi nuk bie nga qielli. Mirëqënia nuk krijohet duke u lutur”, tha kreu i PD-së.

Që t’i realizojë këto, Lulzim Basha ka që tani propozime konkrete, duke nisur me premtimin kryesor për uljen e taksave, për të cilin thotë se do të jetë ulja më e madhe e taksave që vendi ka njohur deri më sot. 

“Duke nisur me taksën e biznesit, tatimin mbi fitimin, uljen me 6 përqind. nga 15 që është sot në 9 përqind”, vijoi Basha.
 
Në projektin e demokratëve vend kryesor ka biznesi i vogël. Duke qënë se zë 90 përqind të biznesit në Shqipëri dhe siç thotë Lulzim Basha goditja dhe arbitrariteti i shtetit është më i madh.

“Për biznesin e vogël do të marrim dy masa. Së pari do të rrisin nivelin e biznesit deri në 12 milionë lekë. Së dyti do ta taksojmë me 4 fasha. Kush ka xhiro deri në 2 milionë do të paguajë 10 mijë lekë të reja në vit. Kush ka xhiro deri në 12 milionë nuk kalon 60 mijë lekë. Në një vend të dukshëm do të vendoset një pullë fiskale dhe kjo do të jetë tabelë ndalim kalimi për tatimorët dhe inspektoriatet që po u marrin shpirtin bizneseve”, tha më tej Basha.

Ky nuk ishte momenti i vetëm që propozimet e kreut të opozitës morën duartrokitje nga tregtarët. Lulzim Basha bëri edhe 2 premtime të rëndësishme për energjinë elektrike.

“Ulet TVSH e energjisë me 15 përqind për bizneset dhe me 19 përqind për familjaret. Dhe sot dua të konfirmoj vendimin tonë, vendosmërinë time për të falur pa kusht të gjithë kamatvonesat”, u zotua Basha.

Këto masa kushtojnë rreth 650 milionë euro por Lulzim Basha thotë se në vend që të zhduken nga qeveritarët e korruptuar ato para do t’i mbeten biznesit dhe qytetarëve.

Top Channel