Zona e lirë ekonomike e Spitallës, merren dy oferta

28/10/2015 00:00

Oferta e parë për ndërtimin e zonës së lirë ekonomike në Spitallë ishte ajo e një grupi kinez, i cili parashikon ndërtimin e rreth 140 fabrikave industriale dhe investime mbi 10 për qind të prodhimit kombëtar.

Oferta e dytë ishte e një kompanie italiane, ndonëse komisoni nuk i bëri publike detajet e ofertës së saj qoftë në vlerën finaciare ashtu dhe punësimin e parashikuar.

Komisioni duhet të shpallë fituesin brenda 30 ditëve nga data e hapjes së ofertave. Ndërtimi i zonës së lirë ekonomike është një nga projektet më të rëndësishme dhe financiarisht më të mëdha në ekonominë shqiptare. Qeveria shpreson që përmes këtij projekti të tërheqë kapital të huaj në ekonominë kombëtare, të avancojë nivelin teknologjik në ekonomi por edhe të krijoje vende të reja pune.

Prej vitesh Shqipëria ka tentuar disa herë të ndërtojë një zonë ekonomike. Madje në vitin 2006 qeveria e asaj kohe shpalli 9 projekte për zonat e lira ekonomike dhe parqet industriale të cilat nuk u realizuan asnjëherë. Qeveria e re ndërhyri në ligj duke vendosur disa nxitësa fiskale pas nje studimi të përbashkët me universitetin e Harvardit. Por a do të funksionoje projekti këtë herë. Autoritetet janë optimistë por kjo mbetet për tu parë.

Top Channel