Bushati: Kuba? Nuk votuam kundër SHBA-ve në OKB

28/10/2015 00:00

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati sqaroi votën e Shqipërisë, një ditë më parë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, pro heqjes së embargos ndaj Kubës, votim ku ne ishim në unison me të gjitha vendet anëtare të BE-së, por ndryshe nga partneri ynë më i rëndësishëm SHBA-të, që dhanë votën kundër.

“Shqipëria nuk ka votuar kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës ditën e martë. Shqipëria ka votuar në mënyrë konsistente me atë linjë që e ka të përvijuar prej kohësh. E njëjta rezolutë është hedhur thuajse çdo vit dhe Shqipëria, pavarësisht çfarë qeverish kanë ardhur apo kanë ikur, ka votuar njësoj”, deklaroi ministri Ditmir Bushati.

Shefi i diplomacisë shqiptare bëri këtë sqarim kur u pyet nga studentë të Fakultetit shtëtor të Shkencave Sociale, për të cilët gjithashtu dha të parin qëndrim të Tiranës zyrtare për debatin e ashpër politik në Kosovë mes qeverisë dhe opozitës për marrëveshjen e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Kornizat janë përcaktuar shumë qartë në marrëveshjen e arritur mes Serbisë dhe Kosovës, nën ndërmjetësimin e BE. Çdo gjë do të bëhet në bazë të ligjeve të Kosovës dhe në përputhje me kuadrin normativ të Kosovës”, deklaroi Bushati.

Ai u tregua i kujdesshëm në pozicionimin mes dy qëndrimeve të ashpra që kanë ndarë politikën kosovare, pro dhe kundër marrëveshjes për asociacionet. Por megjithatë nuk mohoi ekzistencën e shqetësimit për këtë marrëveshje, kur solli si rast atë të Dejtonit për Bosnjen, ku me gjithë kalimin e viteve problemet në këtë vend nuk janë zgjidhur.

“Natyrisht që shqetësimi është legjitim. Unë e mirëkuptoj shqetësimin që ngrihet sa i përket funksionalitetit të shtetit të ardhshëm të Kosovës dhe në këtë pikëpamje gjykoj që rruga më e mirë është ajo e dialogut me partnerët strategjikë, që e kanë mbështetur Kosovën për të qenë pjesë e platformave rajonale”, nënvizoi Bushati.

Bushati iu përgjigj një seri pyetjeve nga studentët për politikën tonë të jashtme. Të vetmes pyetje që ai preferoi të mos e ndante me diplomatët e ardhshëm ndoshta, ishte pyetja e një studendi pragmatist që e pyeti drejtpërdrejtë se si mund të bëhesh ministër i Jashtëm.

“Këtë sekret po ta them veçmas, sepse pastaj mund të rritet konkurrenca dhe mund ta kesh shumë të vështirë”, u përgjigj me shaka Bushati.

Top Channel