Refugjatët në Europë, tashmë edhe me biçikleta

28/10/2015 17:10

Dritat e agimit polar zbukurojnë qiejt e qytetit verior norvegjez Kirkenes ku tursitët dynden çdo vit për ta parë këtë spektakël të natyrës. Por këta individë kuriozë me biçikleta i shtyn një arsye tjetër që të vijnë këtu nga Rusia.

Të veshur trashë dhe duke luftuar mes borës së parë të sezonit, këta çiklistë nuk janë entuziastë të natyrës, por refugjatë. Rusia nuk lejon kalimin në këmbë në këtë zonë, ndërsa Norvegjia ndëshkon rëndë shoferët që transportojnë azilkërkues.

Ky kombinim i ligjit norvegjez me rregulloret ruse bën që refugjatët që duan të kalojnë në pikën kufitare Storskog në mes të këtyre dy vendeve, të përdorin biçikletat.

Sipas Policisë norvegjeze, refugjatët e parë që përdorën këtë pikë kalimi kufitare dhe këtë mënyrë erdhën në shkurt dhe ishin sirianë. Zyrtarë të policisë thanë se tashmë lajmi është përhapur dhe gjithnjë e më shumë refugjatë nga Lindja e Mesme kalojnë kufirin nga Rusia në këtë mënyrë.

Itinerari i refugjatëve nis nga Moska ku mbërrijnë me apo pa vizë, më pas një udhëtim i gjatë në qytetin verior rus të Murmanskit nga ku i afrohen kufirit në qytezën Nikel. Këtu blejnë biçikletat dhe pedalojnë për rreth 1 kilometër deri në Norvegji.

Biçikletat ruse më pas hidhen sepse nuk janë sipas rregulloreve norvegjeze. Në gusht, 420 refugjatë kaluan kufirin në këtë mënyrë, ndërsa tani rreth 500 prej tyre kalojnë çdo javë.

Tërheqja për këtë itinerar është e kuptueshme, pasi kursi arktik, siç njihet tashmë, është opsion më i sigurtë se sa kalimi i Mesdheut. Por, jo të gjithë refugjatët kanë mundësi të paguajnë këtë rrugë të shtrenjtë, pavarësisht se një pjesë bëhet me biçikletë mes borës.

Top Channel